Durrës - Lideri i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela ka celur fushatën elektorale në qytetin e Durrësit, ku dhe prezantoi kandidatin për deputet në qytetin bregdetar, Klodian Ymeri. Ngjela tha se shtresa e ish të përndjekurve janë një prioritet i rëndësishëm që do të mbështesë nëse koalicioni Aleanca për Shqipërine Evropiane do të marrë pushtetin në 23 qershor. 

“Ujërat do të ndryshojnë në këtë vend. Kemi përshtypjen që dhe ju e dini këtë gjë. Aleanca jonë do t’i fitojë zgjedhjet. Une dhe gjithë kandidatët që ju i keni mbështetur, do t’iu përkrahin, do i’u plotësojnë të tëra nevojat që janë të plotësueshme”, tha kryetari i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela.

Fushatës së partisë Ligj dhe Drejtësi ju bashkua edhe kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili tha se kjo parti është një shprehje e vullnetit që PS ka një program të mirë për gjithë shtresën e ish të përndjhekurve politik

“Është një shprehje e vullnetit që Partia Socialiste së bashku me aleatët e saj ka një program të mirë për gjithë shtresën e ish të përndjekurve politikë. Dhe shtresën tuaj, gjithë këta njerëz i mbron me të vërtetë një avokat, avokat nga profesioni, por avokati juaj në gjithë Shqipërinë”, përfundoi kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.
 
Ngjela tha se Durrësi është harruar nga qeveria, ndaj u bëri thirrje banorëve të votojnë në 23 qershor për një fitore të përbashkët.

(v.gj/shqiptarja.com)