DURRËS- Një 38-vjeçar është shfaqur me thikë në dorë në zonën e Currilave në Durrës. Qytetarët kanë njoftuar menjëherë policinë për rastin dhe efektivët kanë shkuar në vendin e ngjarjes për ta arrestuar.

Por njëri prej policëve në momentin e ndërhyrjes është plagosur lehtë në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se 38-vjeçari është me probleme të shëndetit mendor. Ai është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme.

“Rreth orës 11:00, Policia ka marrë njoftim nga qytetarët, se në lagjen nr. 1, një shtetas po lëvizte në rrugë, me mjet prerës, në dorë, duke u bërë rrezik për kalimtarët.   

Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë ku kanë konstatuar shtetasin F. C., duke mbajtur një mjet prerës (thikë), në dorë. Gjatë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, për neutralizimin e këtij shtetasi, është dëmtuar lehtë në dorë, nga mjeti prerës, punonjësi i Policisë E. C., i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.        

Mjeti prerës është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.