DURRËS - Policia ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti me armë zjarri në lagjen nr. 13, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Patrullës së Përgjithshme. Gjatë operacionit të koduar “Momentum”, një 35-vjeçar, Geront Vrioni, u arrestua në flagrancë në një lokal, pasi u kap me një armë zjarri kallashnikov.
'Gjatë patrullimeve me objektiv garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës kanë konstatuar një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në ambientet e një lokali në lagjen nr. 13.
Menjëherë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Momentum”, është ndërhyrë me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tij.', njofton policia.
Arma u sekuestrua, dhe i arrestuari akuzohet për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe motivit të konfliktit po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
'Nga kontrollet është konstatuar se njëri nga shtetasit e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasi G. V., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, kishte me vete një armë zjarri kallashnikov.
Shërbimet e Policisë neutralizuan dhe arrestuan në flagrancë 35-vjeçarin, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si dhe i sekuestruan atij, armën e zjarrit.', vijon më tej njoftimi.