DURRËS - Kryeministri Berisha ka përuruar sot pasdite, portin e ri të peshkimit dhe më pas është takuar me punonjësit dhe përfaqësuesit e bizneseve të peshkimit, me të cilët ka zhvilluar një bashkëbisedim.

Peshkatarët i kanë kërkuar ndër të tjera që ata të mos varen më nga ministria e Mjedisit e cila nuk u kushton vëmendje problemeve të tyre. Ministri Fatmir Mediu ishte i pranishëm ndërkohë gjatë bashkëbisedimit.

Kryeministri ka premtuar se është menduar që peshkimi të përfaqësohet nga ministria e Bujqësisë ose një ministri Peshkimi më vetë, në kuadrin e kalimit në prioritet kombëtar. "Shqipëria ka mundësi të punësojë deri në 20 mijë vetë në këtë sektor të rëndësishëm.

Kryetari i bashkisë së Durrësit duhet të ishte sot këtu për të kërkuar të falur”, - tha Kryeministri, - “sepse ky port prej 14 milionë eurosh duhej të kishte përfunduar. Presidenti i kompanisë “Koral” ka qënë zëdhënësi juaj, ju ka mbështetur dhe ndaj jam këtu që t’ju mbështes. Për peshkimin do ketë një plan kombëtar, dmth do dalë prioritet si ulliri apo sektorë që ne duam t’i zhvillojmë. Kam bindjen më të thellë se do jetë shumë i dobishëm për të ardhmen e vendit".


Peshkatarët u ankuan për ministrinë e Bujqësisë e drejtuar nga Mediu. .

"Z.Kryeministër, ne kemi zhvillim kaotik të flotës, ndonëse e kemi ngritur zërin pranë ministrisë që anijet fundore nuk duhet të vijnë, licencat të ndërpriten, sepse po shkojmë në mbishfrytëzim. Jemi në momentin që po vazhdojmë kështu, do kemi teknologjinë, por s’do kemi peshk e këtu duhet të ulemi. Meqë ra fjala, do t’ju dhuroj një studim që ka mbi nëj vit e gjysëm që rri në sirtarin e ministrisë, e kemi dërguar një kopje edhe për ju në ministri, por kam dyshim se nuk jua kanë sjellë. "- tha një bashkëbisedues.

Berisha: "I dëgjova problemet tuaja themelore dhe ju premtoj se peshkimin do ta bejme prioritet dhe do ta kalojme së shpejti në ministrinë e Bujqësisë ose ndoshta në ministri më vete. Ne parashikojmë të ridimensionojmë në tërësi problemin. Ne do ngremë institutin e detit dhe ujërave. Jam plotësisht dakord të shqyrtojmë tërësisht çështjen e Flotës. Në këtë projekt ne kishim edhe tregun e peshkut, por kryetari juaj e ka mendjen tek betoni. Kur isha në hamburg, vizitova edhe tregun e peshkut dhe ne do ta ndërtojmë tregun e peshkut, një treg shumë të mirë. Me këtë infrastrukturë, tregu i Durrësit i shërben Tiranës dhe të gjithëve që të dinamizohet kjo degë e rëndësishme që ngrihet me sakrifica. Kjo do jenë pjesë të programit tone dhe ne do fillojmë me naftën, tvsh-në, kantierin. Këtë studim që më dhuruat do ta ndjek me shumë interes dhe prapë mbetem me idenë se ne duhet të krijojmë qëndra të fuqishme studimore për këtë ekonomi të madhe. "

Porti i Peshkimit nuk i përballon dot kostot e larta të karburantëve, në këto nivele që kanë arritur tani. A mund të na ndihmoni?

Berisha: Unë gëzohem shumë që ju keni anije të reja dhe ju informoj se kemi vendosur të vëmë në dispozicion, 20 milionë euro kredi të butë; do të jetë garanci shtetërore, qeveritare, që ju të mund të blini anijet që ju duhen dhe të nxisim gjuetine e sardeleve, açugeve, gjuetinë tradicionale për Shqipërinë; që ju të pajisni anijet tuaja me mjetet më moderne të komunikimit.

Së dyti, lidhur me naftën. Në mënyrë të padiskutueshme, do t’ju rimbursohet akciza e naftës, por do e përfitoni tërësisht. E vendosëm këtë për të gjithë sektorët si bujqësia, peshkimi. Ne do heqim tvsh-në për të gjitha materialet që ju përdorni, anije, rrjeta, çdo gjë. Taksa e portit do ulet në 1/10; anijet e tjera le ta paguajnë, juve jo.

Përse duhet të kontrollohemi nga policia një për një kur dalim në det?Na vënë në rresht si në kohën e "xhaxhit"...Gjithashtu, duhen kurse trainimi për peshkimin.

Berisha: Ah, ka mundësi që këto rregulla kanë mbetur nga ajo kohë, ndaj do ta ndryshojmë. Duket se ka lidhje me kalimin e kufirit. Lidhur me kualifikimet, unë do t'i kërkoja ministrisë së Arsimit të hapë një degë peshkimi këtu në shkollat profesionale të Durrësit.

Në orën 19:30, në këtë qytet, Kryeministri Berisha çel fushatën elektorale duke prezantuar kandidatët për deputet në këtë qark.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)