DURRËS- 4 efektivë janë pezulluar nga detyra në qarkun e Durrësit, konkretisht 3 oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë në Durrës dhe një me detyrë trupë shërbimi në komisariatin e Manzës.

Sipas policisë 4 efektivët kanë lejuar që të largohet nga banesa e tij Afrim Kila për të cilin Gjykata e Apelit ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vrasja me dashje”. Afrim Kila ishte në ‘arrest shtëpie’ pasi i kishte mbaruar afati i paraburgimit.

‘Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra, për shkelje të pikës 5 të nenit 209 të rregullores së Policisë së Shtetit, punonjësit e Policisë: -Inspektorë B. V., K. D. dhe O. Sh., të tre oficerë të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës; -Inspektor S. K., trupë shërbimi në Stacionin e Policisë Manzë.’- njofton policia.

Burime bëjnë me dije se Afrim Kila u arratis sapo mori vesh që Gjykata e Apelit e ka dënuar me 16 vite burg për vrasje.

Ndërkohë, AMP-ja ka iniciuar hetim penal për këtë rast dhe në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin ligjor të përgjegjësive.

Afrim Kila, 39-vjeç, u dënua fillimisht në Gjykatën e Durrësit në maj të këtij viti (21 maj) për vrasje me dashje.

39-vjeçari në vitin 2020, në ambientet e një lokali, në Ishëm, ka goditur me mjete të forta një person dhe më pas në rrugë e ka përplasur me makinë, i cili më pas ka vdekur në spital.