DURRES- Dega e Partisë Socialistë në Durrës denoncon presionin që po ushtron qeveria mbi administratën publike, si dhe nxënësit e shkollave të mesme.

Kreu I PS-së në Durrës, Alfred Allaraj, në një konferencë për shtyp thotë se “në funksion të fushatës elektorale u bëhet presion punonjësve në administrata që të jenë aktivë në mitingjet e PD-së, ndërsa nxënësve të shkollave të mesme u premtohen nota fiktive në këmbim të votave të familjarëve të tyre për Partinë Demokratike”.

“Saliu me njerëzit e tij po ushtron presion të jashtëzakonshëm mbi administratën shtetërore, duke i kërcënuar me bukën e gojës. Administrata publike po kalon ditët më të zeza të saj, nën terrorin dhe shantazhin e dhunës verbale të partisë në pushtet. Pasi përdhosi administratën duke i rreshtuar në çdo miting të partisë shtet, dhe pasi e spastroi partinë nga profesionistët, Sali Berisha e sheh administratën publike si të vetmen shpresë për të zgjatur agoninë e tij në pushtet. Por presioni i Saliut dhe njerëzve të tij nuk është ndalur vetëm me administratën shtetërore, por masivisht ndihet edhe me nxënësit e shkollave duke u bërë presion gjimnazistëve për nota fiktive apo për kalimin e klasës nëpërmjet një formulari tip që u shpërndajnë administratës dhe nxënësve, për të plotësuar këtë formular me anëtarët e familjes së vet për të votuar për Partinë Demokratike”, u shpreh Allaraj.

Denoncime të kësaj natyre janë ngritur edhe nga drejtues të Partisë Socialiste në rrethe të tjera të vendit si në Fier, Gjirokastër etj.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)