DURRËS- Është sekuestruar me urdhër të prokurorit Drini Pali anija me më shumë se 22 ton naftë, e cila u bllokua pak ditë më parë 6 milje larg Portit të Durrësit dhe dyshohet se vinte kontrabandë nga Rusia. Megjithëse urdhri ishte firmosur më datë 24 shkurt, ekzekutimi është kryer një ditë më parë për shkak të motit të keq. Ndërkohë policia ka arrestuar kapitenin e anijës Aleksei Smaznov me pasaportë ruse, ndërsa 24 marinarët janë në anije.

Më 20 shkurt, u bë i ditur lajmi se 6 milje larg portit të Durrësit prej ditësh ishte bllokuar nga autoritetet, anija çisternë "Grace Felix" me 22.500 ton naftë kontrabandë në bordin e saj. Anija kishte destinacion "Romano Port" ku do të shkarkonte ngarkesën për llogari të kompanisë shqiptare "Bella Gaz" me pronar Ilir Bellën. 

Autoritetet doganore dhe ato policore dyshojnë se nafta është me origjinë nga Rusia, ndërsa ka dyshime se ngarkesa shoqërohet me dokumente false. Burimet thane se anija është ngarkuar në Azerbaixhan me naftë ruse në një kohë që drejtuesi i anijes deklaron se ngarkesa është marrë në portin grek të Kallamatës nga një tjetër anije çisternë.