Durrës- Loja e dominove është kthyer në një përleshje mes dy të moshuarve, përplasje që degradoi deri në përdorimin e armëve të ftohta, me pasojë një të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në Durrës, rreth orës 15:00, në qendër të qytetit, në sheshin "Pranvera".

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur disa patrulla policie dhe një autombulancë që transportoi drejt spitalit të plagosurin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Në lagjen nr. 11, Durrës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. Zh., 68 vjeç, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë), F. T., 70 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit, brenda pak minutash kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e A. Zh. në Komisariat, për veprime të mëtejshme”, bëri me dije policia vendore pas hetimeve paraprake.

Policia ka nisur hetimet dhe ka shoqëruar autorin e dyshuar, të cilin po e pyet në lidhje me motivin e konfliktit dhe dinamikën e ngjarjes.