DURRES- Hidhet në erë automjeti i një biznesmeni në qytetin e Durrësit. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 08.00 të mëngjesit në lagjen numër 1, ku automjeti tip “Volkswagen” me targa TR 2137 R ishte i parkuar në anë të rrugës. Sipas policisë së Durrësit automjeti i përket 43-vjeçarit Eduard Xhepa, pronar i hotel “Aragosta” në qytetin bregdetar, i cili mësohet se kishte zbritur nga makina vetëm pak minuta para se të shpërthente.

Sipas policisë të mbërritur në vendngjarje, lënda eksplozive ishte vendosur në motorin e mjetit dhe fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka të lënduar. Sipas policisë kemi të bëjmë me një shpërthim me komandim në distancë, nga i cili nuk ka patur dëmtime të objekteve përreth.
 
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ende nuk ka një pistë zyrtare për të zbuluar autorët dhe shkaqet e ngjarjes. Dyshohet se shpërthimi ka ndodhur për shkak të konkurrencë, por nuk përjashtohet edhe mundësi e një borxhi të pashlyera.

Deri tani policia ka shoqëruar mbi 7 persona, të cilët janë marrë në pyetje së bashku me njerëz të njohur të biznesmenit dhe dëshmitarë okularë.
 
Po ashtu, janë sekuestruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë të objekteve aty pranë për të gjetur gjurmë të autorëve.
 
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor, dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve të vendosjes së lëndës eksplozive.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)