Durrës- Zjarret e sezonit veror marrin një tjetër jetë. Një i moshuar ka humbur jetën i asfiksuar ditën e sotme, teksa u përpoq që të digjte mbetjet e ndryshme të prodhimeve sezonale në tokën e tij.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Sukth të Durrësit, kur 75-vjeçari i identifikuar si Rexhep Halili, kishte ndezur zjarr në tokën e tij.

Policia vendore konfirmoi fatalitetin dhe sqaroi se viktima po digjte mbetjet e prodhimeve bujqësore. Fatkeqësisht, si pasojë  e erës së fortë, zjarri është përhapur dhe 75-vjeçari në përpjekje për ta fikur, është asfiksuar nga tymi dhe ka ndërruar jetë”.

Pas gjetjes së trupit të Halilit, u njoftuan edhe organet vendore ligjzbatuese, teksa bëhet me dije se "grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”. Paraprakisht ngjarja cilësohet si aksidentale nga policia lokale.