Policia ka arrestuar një person pasi mëngjesin e sotëm ka tentuar të vrasë më thikë të dashurën e tij. I arrestuari është Antonio Zani 33 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i tij u bë pasi ditën e sotme rreth orës 06:00, në lagjen Nr.8 Durrës, ka tentuar të vrasë me thikë të dashurën e tij, A.D. 20 vjeçe, banuese në Durrës. 

Sipas policisë dyshohet se autori ka qenë nën ndikimin e lëndëve narkotike në momentin e kryerjes së veprës.

Zani ka shkuar në banesën e N.M, ku e dashura e tij ishte e punësuar si kujdestare nate për të zonjën e shtëpisë, e cila ishte invalide dhe si rezultat i një konflikti çasti e ka goditur disa herë me thikë në trup.

Për pasojë i ka shkaktuar plagë të rënda dhe  A.D. ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu edhe autori i dyshuar ka marrë plagë në trup dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal Durrës.

Me të marrë njoftimin menjëherë në vendngjarje shkuan Efektivat e Policisë, të cilët bënë të mundur kqyrjen e vendit të ngjarjes, mbledhjen  e provave materiale, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provave materiale, mjeti i kryerjes së veprës penale, thika  e cila plotësonte kushtet e armës së ftohtë, një qese me një sasi lëndë narkotike e  dyshuar e llojit kanabis sativa dhe tre aparate telefoni celularë.

Zani është person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës dhe lëndëvë narkotike.

Materialet I kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale”Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “ Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

sekuestrim

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com