Tre drejtues automjetesh janë vënë nën hetim në Durrës, pasi tentuan të korruptonin efektivët e Policisë Rrugore për të shmangur gjobat.

Bëhet fjalë për një 47-vjeçar që drejtonte automjetin në gjendje të dehur, një 50-vjeçar që kishte certifikatën e kontrollit teknik të skaduar dhe drejtonte mjet me fuqi motorike më të madhe se ajo që i lejonte leja e drejtimit, si dhe një 23-vjeçar nga Kosova, i cili përdorte celularin gjatë drejtimit të automjetit.

Për të shmangur gjobat, ata u ofruan efektivëve përkatësisht 4 mijë, 2 mijë dhe 1 mijë lekë. Të tre po hetohen për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Njoftimi i policisë:

Policia Rrugore e Durrësit godet 3 tentativa për mitëdhënie.

Procedohen penalisht drejtuesit e automjeteve, të cilët ofruan para për të shmangur masa administrative.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit, gjatë monitorimeve intensive për identifikimin dhe ndëshkimin e shkelësve të Kodit Rrugor, si dhe për parandalimin e aksidenteve dhe për garantimin e parametrave të sigurisë në rrugë, ndaluan për verifikime automjetet që drejtonin shtetasit:

-D. H., 47 vjeç, banues në Durrës, i cili rezultoi se ishte në gjendje të dehur;

-M. Sh., 50 vjeç, banues në Durrës, i cili rezultoi se posedonte certifikatë të kontrollit teknik të automjetit, me afat të përfunduar, si dhe se drejtonte automjet me fuqi motorike më të madhe se ajo e përcaktuar në lejen e drejtimit që posedonte;

-A. S., 23 vjeç, banues në Kosovë, i cili u konstatua duke përdorur celularin.

Për të shmanguar masat administrative, këta shtetas tentuan të korruptonin efektivët, duke ofruar përkatësisht 4000, 2000 dhe 1000 lekë.

Në vijim të veprimeve procedurale për të tre ka nisur procedimi penal, për veprën “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia Rrugore e Durrësit apelon sërish, për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo shkelje të tyre, si dhe iu garanton anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë