Durrës - Policia e Durrësit ka vendosur në pranga një 28-vjeçar për vjedhje.

Në orët e para të mëngjesit të datës 4 nëntor, i riu theu me sëpatë, dyert e 2 magazinave në lagjen nr. 5, dhe vodhi materiale ndërtimi, me vlerë rreth 150 000 lekë.

28-vjeçari u kap në flagrancë në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë tentativës për të vjedhur sërish me thyerje, në njërën prej magazinave ku kishte vjedhur një natë më parë.

Vijojnë hetimet për vjedhjet e tjera që mund të ketë kryer i riu.

“Në vijim të veprimeve hetimoro-procedurale të kryera pas kallëzimeve të 2 shtetasve, se në orët e para të mëngjesit të datës 04.11.2025, në magazinat e tyre, në lagjen nr. 5 (në të cilat shiteshin materiale ndërtimi), ishte vjedhur me thyerje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan vënien në pranga të autorit të këtyre rasteve, shtetasin B. R., 28 vjeç, banues në Durrës.

Ai u kap në flagrancë, me mjet prerës (sëpatë) në dorë, në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë tentativës për të hyrë me qëllim vjedhjen, në njërën prej magazinave ku kishte vjedhur në orët e para të mëngjesit të datës 04.11.2025. Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.