Kontrolle të befasishme janë kryer në ambientet e burgut të Durrësit, nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe BKH

Sipas informacioneve bëhet me dije se gjatë kontrolleve se i dënuari Artur Hoxhosmani është gjetur me celular në qeli.

Artur dhe Klevis Hoxhosmani (vëllezër), Ermir Ndrejaj dhe Plarent Dervishajn, akuzohen për trafikun e 6 tonëve drogë me vlerë 411 milionë euro. Grupi i tyre u godit nga SPAK në korrik, ku ranë në pranga 6 persona, ndërsa 7 të tjerë u shpallën në kërkim.

SPAK ka të dokumentuar aktivitetin e tyre kryesisht në vitin 2020 ku tonelata droge kanë kaluar nga Ekuadori për në vendet e BE.

Njoftimi i drejtorisë së burgjeve

Goditet rast i posedimit të sendeve të ndaluara në IEVP Durrës

Në vijim të kontrolleve të befasishme dhe të intensifikuara të ushtruara nga Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në bashkëpunim me SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), është evidentuar një rast i posedimit të sendeve të ndaluara në ambientet e IEVP Durrës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në godinën “B”, u konstatua dhe sekuestrua një aparat celular tip iPhone, së bashku me karikues dhe fishë lidhëse të improvizuar.

Lidhur me rastin janë kryer veprimet procedurale përkatëse dhe është mbajtur procesverbal për bllokimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara.

Strukturat e specializuara të SHKBB, në koordinim me SPAK dhe BKH, po vijojnë hetimet dhe procedurat e mëtejshme sipas ligjit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar në forcimin e sigurisë në institucionet penitenciare dhe në goditjen e çdo paligjshmërie brenda sistemit.

Foto: Telefoni i gjetur nga Policia