Durrës, vrasja e 60-vjeçares
policia shoqëron 20 persona

Durrës, vrasja e 60-vjeçares<br />policia shoqëron 20 persona
DURRËS -  Edhe pse kanë kaluar 24 orë, policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve që masakruan dje me mjete të mprehta 60-vjeçaren Fatmira Deda në qytetin e Durrësit.
 
Viktima u gjend e vdekur nga fqinjët në garazhin e automjeteve në pallatin ku ajo jetonte në lagjen numër 4 të qytetit bregdetar. Policia ka shoqëruar deri tani 20 persona, nga të cilët është marrë dëshmia që do të zbardhte pistën dhe identifikimin e autorëve.
 
Mes të shoqëruarve kanë qenë edhe përdorues të lëndëve narkotike, të cilët shpesh herë përfshihen në grabitje të sendeve me vlerë, për të siguruar drogë, por këta të fundit nuk kanë pranuar të jenë të implikuar në këtë ngjarje.
 
Deri tani sipas bluve të Durrësit, pista kryesore në të cilën po hetohet është ajo e hakmarrjes për pazare të vjetra, që mund të kenë lidhje edhe me vrasjen e djalit të 60-vjeçares, një vit më parë.
 
Djali i viktimës, Ervis Deda, është ekzekutuar në një atentat mafioz te Shkëmbi i Kavajës. Sipas policisë ai është marrë me trafiqe lëndësh narkotike jashtë vendit dhe është ekzekutuar për prishje pazaresh. Duket se hakmarrësit nuk janë mjaftuar me vrasjen e tij, por kanë bërë të njëjtën gjë edhe me të ëmën.
 
Po ashtu, policia nuk ka përjashtuar edhe pistën e ndonjë konflikti, pasi viktima Fatmira Deda ishte bashkëpronare me një person tjetër e një karburanti në Durrës. Megjithatë policia vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
 
DURRËS, 60-VJEÇARJA MASAKROHET ME KAÇAVIDË
Një 60-vjeçare ka gjetur vdekjen, pasi është vrarë me sende të forta në kohën kur gjendej në garazhin e makinës së saj. Viktima është identifikuar si shtetasja Fatmira Deda, 60 vjeç,  ndërsa mësohet se asaj një vit me parë i është ekzekutuar në mënyrë mafioze i biri, Ervis Deda, vrasje e mbetur ende e pazbardhur nga policia e qytetit bregdetar.

Hakmarrja për pazare të vjetra dhe të pista duket se nuk njeh kufij duke mos kursyer as gratë e moshuara. Dje në mesditë është vrarë me sende të forta Fatmira Deda 60 vjeçe banore e lagjes nr 4 të Durrësit. Një vit më parë i kishin vrarë të birin në një atentat të organizuar te Shkëmbi i Kavajës. Gruaja është qëlluar për vdekje pas qafe me një mjet të fortë në kohën kur gjendej në garazhin e makinës së saj. Ka qenë  njëri prej komshinjve që e ka gjetur atë mes një pellgu gjaku e që ka njoftuar policinë.

Ngjarja
Ditën e djeshme rreth orës 14.00,në lagjen nr 4, pas selisë së PD lokale, në garazhin e automjetit është gjendur e vdekur 60 vjeçarja Fatmira Deda. Garazhi gjendet në katin e poshtëm të një pallati 11 katësh. Ka qenë njëri prej komshinjve, i cili kishte garazhin e tij ngjitur me atë të Fatmirës, që kishte mundur të dallonte të shtrirë mes pellgut të gjakut gruan 60 vjeçare e që kishte njoftuar policinë. Grupi hetimor që këqyri vendin e ngjarjes konstatoi se Fatmira kishte një plagë pas qafe të shkaktuar nga një send i fortë,plagë e cila i kishte shkaktuar shumë hemorragji. Për shkak të kësaj plage, njerëzit antikrim kanë përjashtuar mundësinë e vdekjes nga ndonjë rrëzim i mundshëm i saj. Më pas trupi i gruas është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Durrësit për ti bërë autopsinë e për të përcaktuar në mënyrë shkencore shkakun e vdekjes.

Policia
Vrasja e gruas ka angazhuar një numër të madh njerëzish të ligjit të cilët po punojnë  për zbardhjen e saj. Në vendngjarje kanë ardhur 3 prokurorë, 2 oficerë të policisë gjyqësore, 2 punonjës të laboratorit shkencorë, 3 agjentë të policisë kriminale, një oficer i lartë i Drejtorisë së Policisë Kriminale nga kryeqyteti si dhe një skuadër me policë të rendit. Policia ka marrë menjëherë me cilësinë e dëshmitarëve 3 persona të cilët në mënyra të ndryshme kanë kontaktuar me gruan përpara vrasjes. Njëri prej tyre ishte personi që e gjeti të vdekur. Një punëtor shërbimesh hidraulike kishte kontaktuar me gruan me anë të celularit disa herë rresht pasi do të kryente disa punime në banesën e saj. Telefonata e fundit ishte kryer rreth orës 12 e 30 të mesditës. Po ashtu një person i tretë është marrë në pyetje për këtë ngjarje të rëndë.
Hetimet
Sipas grupit hetimor dy janë pistat e hetimit për zbardhjen e kësaj ngjarje. Pista e parë është ajo e një hakmarrje të mundshme. Djali i viktimës, Ervis Deda, është ekzekutuar në një atentat mafioz në muajin qershor të vitit  të kaluar te Shkëmbi i Kavajës. Sipas policisë ai është marrë me trafiqe lëndësh narkotike jashtë vendit dhe është ekzekutuar për prishje pazaresh. Duket se hakmarrësit nuk janë mjaftuar me vrasjen e tij por kanë bërë të njëjtën gjë edhe me nënën e tij. Pista tjetër,ajo më pak e mundshmja, është ajo e vrasjes në një tentativë grabitjeje. Fatmira është vrarë në kohën kur ishte kthyer nga pazari dhe sapo kishte parkuar makinën në garazh. Policia bën të ditur se gruaja në momentin që u këqyr vendi i ngjarjes mbante të shtrënguar në dorën e djathtë çelësin e makinës,një citroen c 4. Pak më tutje u gjend i fikur celulari i saj ndërsa çanta nuk u arrit të gjendej. Duket autorët kanë dashur që ta paraqesin vrasjen si një grabitje me dhunë.
Djali
Me datën 6 qershor të vitit 2012, persona ende të paidentifikuar nga ana e policisë, i bënë pritë Ervis Dedajt në kohën kur ai po lëvizte me makinën e tij në një rrugë dytësore te Shkëmbi i Kavajës. Sipas policisë atentatorët patën qenë 2 vetë. Ata derdhën më shumë se 30 plumba mbi Dedën duke e lënë të vdekur në vend. Më pas policia pati gjetur të djegur pranë një bunkeri në fshatin Arapaj automjetin që patën përdorur killerat me pagesë. Automjeti pati rezultuar i vjedhur në Kosovë. Ervis Dedaj rezultonte person i kërkuar nga INTERPOLI belg për trafik të lëndëve narkotike.
 
Intervista

Vëllai i viktimës: “Kjo që ndodhi është vazhdimi i vrasjes së djalit të saj”
Besnik Deda punonjës në kapitenarinë e portit të Durrësit, vëllai i viktimës Fatmira Deda në një intervistë për “shqiptarja.com”, rrëfen jetën e motrës së tij.
-Kur e morët vesh ngjarjen ?
Rreth gjysmë ore më parë nga ana e policisë dhe jam mjaft i tronditur.
-Me kë jetonte Fatmira?
Jetonte e vetme në një apartament në katin e katërt të pallatit këtu. Burri i saj me profesion mjek ka vite që ka vdekur. Djalin ja vranë vitin që shkoi kurse me vajzën kishte kohë që nuk bëhej, për më tepër ajo jeton jashtë vendit.
-Me çfarë pune merrej Fatmira?
Gjithë jetën ka qenë infermiere në qytetin e Kavajës. Në Durrës kishte 10 vjet që ishte vendosur. Sapo kishte përfunduar dokumentet e pensionit që nuk e gëzoi.
Çfarë mendimi keni për shkakun e vrasjes?
Çfarë të them. Mendoj se është vazhdimi i vrasjes së djalit të saj. Ervisi më tepër ka jetuar jashtë vendit. Atje ka pas bashkëjetuar me një bjelloruse me të cilën pati një djalë që është rreth 3 apo 4 vjeç. Këtë verë bjellorusja e solli djalin në Durrës dhe qëndroi disa ditë  me të te shtëpia e Fatmirës. Kjo e fundit u çmall me nipin e saj i cili i ngjante së tepërmi Ervisit. E tmerrshme kjo që po përjetoj unë. Brenda një viti mu vra nipi dhe motra. 
 

Shkrimi u publikua sot (15.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu

Spahiu: Komike, Erion Veliaj pyetet për 4 bileta në 2011, Berisha nuk pyetet as për 4 të vrarë në 2011 gjithashtu