Një kapanon në Shkozet të Durrësit u improvizua në spital kafshësh për tre ditë.

Vullnetarët e organizatës “Jeta, kafshët dhe njerëzit” ndërmorën fushatën e sterilizimit, kastrimit dhe vaksinimit të qenve, maceve endacake e jo vetëm. Nga ky projekt përfituan edhe qytetarët që patën mundësi të kastrojnë kafshët shtëpiake pa pagesë.

‘Një mace. Të them të drejtën e kam gjetur në rrugë. Më erdhi keq dhe e mora si mace e mbajta në shpi, i dhashë ushqim, e rrita. E kemi sjellë për sterilizim dhe do e marrim në shpi se goca e mban”- u shpreh një qytetar.

Drejtuesja e organizatës Xheni Muller (Myler) dhe veterineri Blendi Bejdoni thanë se qëllimi kryesor është ulja e numrit të kafshëve endacake në qytet.

‘Kafshë kemi pasur mundësi të kastrojmë 99 qenë dhe 21 mace, diçka që mua më gëzoi shumë pasi në fillim dukej që nuk ishte kaq shumë i populluar si projekt. Por shumica e kafshëve janë me pronar dhe gjysma janë pa pronar. Janë vullnetarë që i ushqejnë dhe kujdesen në rrugë’- tha Muller, nga organizata ‘JTM’.

 “Qëllimi është që të bëjmë sterilizimin dhe kastrimin në masë, që do duhet të punojmë shpejt dhe të jemi sa më shumë të organizuar. Nuk është numër i vogël. Është një numër i mirë”.- u shpreh Blendi Bejdoni, veteriner.

Në tre vitet e fundit janë kryer vullnetarisht 1200 ndërhyrje dhe më pas qentë e macet rikthehen në rrugë të matrikulluar. Vullnetarët gjithashtu sensibilizojnë qytetarët që të mos blejnë kafshë shtëpiake por ti adaptojnë ato.