Grupi artistik i Krujes çeli natën e katërt të festivalit folklorik të Gjirokastrës, me këngë e valle të dasmës qytetare krutare. Kostumet shumëngjyrëshe të mishëruara tek të rinjtë e ketij grupi folklorik tërhoqen vemendjen e publikut.

Kruja mori pjesë në festival si pjesë e Qarkut të Durrësit. Më pas u ngjitën në skenë folkloristët e qarkut të Korçës, që dallojnë për  muzikën qytetare, sazet , ritmet e Devollit, vallet burimore të burrave e grave.

Instrumentat dhe këngët, kostumet popullore dhe objektet e traditës u sollën me mjeshtri para publikut.  Qarku i Korçës solli në festival edhe këngë të reja si dhe më shumë se 40 artistë të rinj.

Festivali Folklorik Kombëtar do të vazhdojë në Kalanë e Gjirokastrës deri të shtunën e 1 korrikut. Festa e madhe e traditës dhe folkut është rikthyer pas 8 vitesh mungesë duke tërhequr vemendjen edhe të turistëve që ndodhen në qytetin e gurtë. Marrin pjesë në total 1200 artistë nga 12 qarqet e vendit.