DURRËS-Një polic është pezulluar nga detyra pasi ka pasur një komunikim jo etik me një pushues nga Kosova. Bëhet fjalë për efektivin me inicialet A.L.. Mësohet se pushuesi Menson Hyseni nga Kosova ka denoncuar në policinë e qytetit bregdetar, ku dhe po kalonte pushimet, se në shtëpinë e marrë me qira i kanë humbur tre telefon celularë. Me të mbërritur në shtëpinë e tij, pushuesi nuk është përballur me një komunikim formal, mes një denoncuesi dhe një polici, por është ofenduar madje edhe kërcënuar nga ky i fundit.

Polici: Po kjo moda juaj ore buri i dheut
Po ku model juaj ore buri i dheut
Polici: Mendohuni mirë se ku i keni lënë, mo m'thoni më se po doli pastaj për kallëzim të rremë do të shkoni në burg
Polici: Se do të vijë prokurori këtu
U bë e dhjetëra herë e këtyre njerëzve, po te ky pallat, te ky vend

Videoja është regjistruar me kamera amatore nga Hyseni, e ndërsa në një intervistë për median Klan Kosova, Hyseni ka ngritur dyshimet se celularët janë vjedhur nga persona që kanë pasur çelësat e shtëpisë, pasi dera nuk ka qenë e shpërthyer, siç mund të ndodh në vjedhje të tjera. Madje ai është shprehur se është kërcënuar edhe nga pronari i shtëpisë, në prezencë të policëve dhe është detyruar nga ky i fundit që të nënshkruajë se i ka gjetur celularët, nga frika se mos do kishte pasoja tek familjarët e tij, ndonëse nuk kishte gjurmë nga celularët e tij. Pas referimit të rastit në Policinë e Kosovës dhe njoftimit të asaj shqiptare, kjo e fundit ka marrë masat duke pezulluar nga detyra policin.