24 orë pas rrëshqitjes së kodrës në zonën e Currilave, situata në terren paraditen e kësaj të shtune paraqitet e njëjtë me atë të ditës së premte.
Banorët e pallatit pranë vendit ku ndodhi rrëshqitja vijojnë të mos kthehen në banesat e tyre, ndërsa aktiviteti i bizneseve të dëmtuara nga masat e dheut dhe pishat e rrëzuara mbetet i pezulluar që nga dita e djeshme.
Gjatë ditës së sotme pritet që specialistët e Institutit të Ndërtimit dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar të rikthehen në zonë për të marrë mostra, në funksion të nisjes së studimit të detajuar gjeologjik dhe gjeoteknik.
Bashkia e Durrësit ka bërë të ditur se në terren do të veprojnë paralelisht dy grupe pune të drejtuara nga Instituti i Ndërtimit. Njëri ekip do të merret me vlerësimin fillestar të objektit për të identifikuar dëmtime të mundshme në strukturë, ndërsa grupi tjetër do të kryejë matjet dhe analizat e nevojshme për hartimin e akt-ekspertizës dhe projektit për stabilizimin e zonës.
Njëkohësisht, Instituti i Ndërtimit ka ngritur edhe një grup të posaçëm ekspertësh, i cili do të realizojë ekspertizën e plotë të pallatit dhe do të përcaktojë shkallën e sigurisë së tij.
Autoritetet njoftuan pasditen e së premtes se 25 familjet që banojnë në këtë godinë nuk do të lejohen të rikthehen në apartamentet e tyre deri në përfundimin e të gjitha vlerësimeve teknike dhe marrjen e konfirmimit nga institucionet përgjegjëse se objekti është i sigurt për banim.
Nga 40 apartamentet që ka pallati, është konstatuar se 25 prej tyre janë të banuara.
Komente








