DWS-Xhani Shqerra:“Dancing”, më solli
më pranë publikut

DWS-Xhani Shqerra:“Dancing”, më solli<br />më pranë publikut
Modeli, Xhani Shqerra ka lënë mbrëmjen e së enjtes, spektaklin e yjeve ‘Dancing With the Stars”. Tango e Shqerrës u mund përballë Paso Dobles të bukuroshes, Adelina Tahiri. Modeli dhe këngëtarja u vunë përballë njeri- tjetrit, pasi performacat e tyre u vlerësuan me më pak pikë mes totalit të votimeve nga juria e publiku, duke i çuar personazhet VIP në sfidën e parë të “Dance Off”, e duke sjellë në këtë mënyrë eliminimin e Xhanit dhe partneres së tij, Ledia. Në një intervistë për suplementin THASH&THEM, modeli rrëfen emocionet e pjesëmarrjes në këtë spektakël të kërcimit duke cilësuar si një eksperiencë të paharrueshme në karrierën e tij artistike. “Është një miks emocionesh, një kënaqësi dhe një keqardhje gjithashtu”, thotë Shqerra. Ai ndalet në të njëjtën kohë edhe tek vlerësimet që ka marr në këto tre netë nga juria e spektaklit, duke i cilësuar ato shumë të vlefshme për të. Përveç modeligut, Shqerra është i njohur për publikun shqiptar edhe si këngëtar. Festivali i San Valentinos në Romë, 8 vjet më parë i solli atij kontaktet me shtëpitë diskografike dhe kënga e tij “Un posto nel tuo cuore”, përveç çmimit në këtë aktivitet u bë një nga këngët më të lançuara në radio. Ajo u shndërrua më pas edhe në një version spanjoll, por me titullin “Tu juego” (Loja jote). 2 vjet më parë festivali i muzikës moderne shqiptare Top Fest, do ta sillte Shqerrën në Tiranë, ku ai u prezantua me këngën “Chanson d’Amour”. Duke u ndalur tek projektet e tij muzikore këngëtari thotë se, shumë shpejt do të sjell për publikun një këngë te re.

Sapo ka përfunduar eksperienca juaj në “Dancing With the Stars”, si ndiheni?

Në fakt është një miks emocionesh, një kënaqësi dhe një keqardhje gjithashtu. Mendoja që rrugëtimi im do të ishte më i gjatë, pasi do të dëshiroja të provoja më shumë disiplina kërcimi. Por për mua ishte kënaqësi të merrja pjesë në një spektakël të tillë dhe jam ndjerë i nderuar nga vlerësimet e jurisë por edhe të publikut gjithashtu.

Me çfarë disiplinash u paraqitët në këto tre netë?

Prezantimi i im i parë përpara publikut ishte një Xhajv, për të vijuar më pas me një Rumba dhe kërcimi i fundit ishte një Tango shumë e ndjerë.

Mos ishte tango kërcimi që ju penalizoi në një farë mënyre?

Absolutisht që jo. Unë e ndjeva emocionin e gjallë në skenë, dhe duke parë rezymenë e mbrëmjes , mendojë që gjithçka shkoi shumë mirë. Nuk mendojë që, kam rënë nga niveli im me tangon.

Si do ta kujtoni si eksperiencë?

Në të gjithë karrierën time, ky spektakël, do të jetë një vlerë e shtuar sepse më dha mundësi që unë të jem pranë publikut shqiptar. Por nga ana tjetër mendojë se do të jetë një hap pozitiv për mua, jo vetëm në këngë por edhe 360 gradë. (qesh)

Si do ta cilësonit bashkëpunimin tuaj me Ledian?

Një nga arsyet që ndihem i keqardhur që u largova nga kjo garë është edhe Ledia. Ajo është një balerinë e shkëlqyer. Me gravurën e saj, Ledia më vuri përpara përgjegjësisë për të punuar edhe më shumë. Më shumë vjen keq që kjo eksperiencë nuk zgjati, megjithatë jam i lumtur që njoha një balerinë dhe një njeri si Ledia.

Pse mendoni që publiku ju penalizoi, pasi ju gjatë natës së spektaklit morët komente shumë pozitive, sa i përket jurisë?

Të them të drejtën votat e publikut, unë nuk jam në gjendje ti përkthejë. Megjithatë mund të them se, nëpër forume të ndryshme unë e kam pasur mbështetjen e tij. Dua të nënvizojë faktin, që natën e dytë kam qënë i pari në renditje, sa i takon konkurrentëve meshkuj, kështu që votat e publikut unë i kam pasur. I vetmi problem është formula në këtë rrugëtim, por unë dua të theksojë që e kam shijuar mjaft pjesëmarrjen time në “Dancing With the Stars”.

Nga të gjitha zhanret që kërcyet, cili mendoni se ishte më i vështiri?

Të reja zhanret në përballje të parë ishin të vështira, por me shumë punë dhe përkushtim nga ana ime dhe sigurisht edhe me ndihmën e Ledias, arrita që ti bëja të treja të miat. Ai zhanër që më pëlqeu më shumë dhe që ishte shumë më afër natyrës sime, ishte Rumba.

Sa të vlefshme ishin komentet e jurisë?

Komentet e jurisë ishin shumë të vlefshme, pavarësisht përkthimit në nota. Për mua ky ishte një zhanër i ri dhe vlerësimet teknike të Ilir Shaqirit ishin shumë të vlefshme. Por ajo që dua të theksojë, janë komentet shumë korrekte nga ana e professor Alfred Kaçinarit duke mos lënë pas gjithashtu edhe vlerësimet e duhura të Iva Tiços.

Xhani e pranuat menjëherë ftesën për të qënë pjesë e këtij spektakli?

Kur më telefonoi producentja e këtij spektakli Holta Dulaku, e pranova menjëherë ftesën për dy arsye. E para sepse më në fund do të realizoja ëndrrën time për të kërcyer, pasi pas këngës dhe modës një nga ëndërrat e mia ka qënë edhe baleti. Dhe e dyta ishte njohja me publikun shqiptar. Duke qënë një format elitar më duket se kam gjetur veten në këtë lloj reality.

Sipas jush, kush është e veçanta e këtij spektakli?

Mua do më pëlqente shumë që këtë spektakël ta shihja nga divani. (qesh) Megjithatë e veçanta e “Dancing With the Stars”, qëndron në faktin se, në të janë të përfshirë një potpuri karakteresh e personazhesh.

Si kanë qënë marrëdheniet tuaja me konkurrentët e tjerë?

Marrëdhëniet i kam pasur shumë të mira jo vetëm me konkurrentet por me të gjithë stafin realizues të këtij spektakli, përshfi këtu balerinët, koreografët, etj. Mendojë që do të mbetemi miq të mirë në të ardhmen.

Tani që nuk jemi më pjesë e këtij spektakli, cilit prej konkurrentëve do t’iu uronit fitoren?

Është shumë e vështirë kjo pyetje pasi unë e përmenda edhe pak më sipër, që me ta kam krijuar jo vetëm marrëdhënie njerëzore por edhe shoqërore. E kam pak të vështirë të përmend dikë, por duke e vlerësuar si shikues, mendojë dhe uroj që këtë spektakël ta fitojë Ornela Bregu.

Cilat do të jenë angazhimet tuaja pas DWS?

Për momentin do të kalojë disa ditë relaksi në Shqipëri, dhe më pas do të kthehem në Itali për të punuar mbi këngën time të re, që do të hedh së shpejti në treg.

Do të vini më shpesh në Shqipëri?

Jeta ime ka qënë gjithnjë mes Shqipërisë dhe Italisë, kështu që do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në vijim . (qesh)

(xh.k/shqiptarja.com)





  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi me shpullë të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi me shpullë të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato