Policia daneze ka parandaluar një atentat të dyshuar ndaj reperit amerikano-ukrainas Kyivstoner, i cili ishte planifikuar të kryhej në shtator, pak para një koncerti të tij në Danimarkë. Lajmi u bë i ditur të nga autoritetet daneze, të cilat dyshojnë se pas planit qëndronin shërbimet ruse të inteligjencës.
Sipas autoriteteve, policia arrestoi fillimisht tre persona me lidhje me botën kriminale në Danimarkë, ndërsa një i dyshuar i katërt u arrestua më vonë.
Kreu i Shërbimit Danez të Sigurisë dhe Inteligjencës, Rasmus Kieffer-Kristensen, deklaroi në një konferencë për shtyp se vlerësimi i autoriteteve është se tentativa për vrasje ishte organizuar nga shërbimet ruse të inteligjencës.
Sipas prokurorisë, në momentin e arrestimit, të dyshuarit po udhëtonin drejt vendit ku do të mbahej koncerti, duke transportuar dy pistoleta të mbushura dhe dy thika. Arrestimet u kryen rreth orës 21:55, vetëm pesë minuta përpara fillimit të aktivitetit. Njëri prej të dyshuarve dyshohet se kishte blerë edhe një biletë për koncertin.
Katër personat akuzohen për ndihmë ndaj një shërbimi të huaj inteligjence, në bazë të Nenit 108 të Kodit Penal danez, si dhe për tentativë vrasjeje. Ata i kanë mohuar akuzat gjatë paraqitjes në gjykatë.
Autoritetet e kanë cilësuar çështjen si një zhvillim serioz për sigurinë kombëtare të Danimarkës. Sipas drejtuesit të PET, një përpjekje e tillë për vrasje e dyshuar se është organizuar nga Rusia nuk ishte hasur më parë në vend.
Ndërkohë, Moska nuk ka reaguar ende ndaj kërkesës për koment nga mediat, ndërsa më herët ka mohuar përfshirjen në raste të tjera të ngjashme të raportuara nga vende evropiane.
Rasti vjen në një kohë kur autoritetet daneze kanë ngritur shqetësime edhe për përpjekjet e dyshuara ruse për të rekrutuar qytetarë vendas në aktivitete sabotimi kundër kompanive daneze të mbrojtjes që kanë lidhje me Ukrainën./CNN
Lajmi kryesor:
SHBA vendos në tryezë ofertën për Ukrainën: Donbasi në këmbim të anëtarësimit në NATO! Zelensky: Amerikanët e ngritën këtë mundësi në negociata





