Vetëm 2 ditë kanë kaluar dhe Franca do i rihapë kufijtë e saj për pasagjerët që vijnë nga Anglia.

Kufijtë do të hapen ditën e nesërme (23 dhjetor) duke i dhënë fund bllokadës që synonte parandalimin e përhapjes së variantit të ri të COVID.

Pjesa më e madhe e botës mbylli kufijtë e saj me Britaninë pasi u zbulua një mutacion i koronavirusit duke u përhapur me shpejtësi në të gjithë Anglinë e Jugut.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme janë krijuar rradhë të gjata në rajonin e Kent në Britaninë e Madhe ku 2,850 kamionë kanë mbetur të bllokuar dhe presin të kalojnë drejt Francës.

Më herët kryeministri Boris Johnson i ka kërkuar Presidentit Macron që të rihapë kufijtë ndaj Britanisë.

Edhe Komisioni Europian i ka bërë thirrje vendeve anëtare të heqin kufizimet. Nëpërmjet një deklarate, Brukseli i kërkon shteteve të BE që të lejojnë “udhëtimet  e domosdoshme “ për qytetarët e BE dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Më tej, Komisioni shprehet se është dakord që vendet të marrin masa parandaluese për të kontrolluar përhapjen e variantit të ri të virusit, por shtoi se duhet “përjashtime të koordinuara”.