Dy ministret më të reja të qeverisë “Rama 3”, Edona Bilali dhe Bora Muzhaqi kanë zhvilluar një takim së bashku, ku jo vetëm kanë shprehur mbështetjen për njëra-tjetrën, por edhe janë konsultuar në lidhje me sipërmarrjen dhe startupet.
Bora Muzhaqi është emëruar Ministre për Rininë dhe Fëmijët, ndërsa Bilali Ministre për Sipërmarrjen. Muzhaqi ka qenë këshilltare e jashtme për BERZH tek Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ku ka folur për sfidat e këtij institucioni që do të drejtohet në mandatin e tretë të PS nga deputetja e Shkodrës, Bilali.
Duke e cilësuar veten 'si nxënëset e reja të klasës', Muzhaqi dhe Bilali shprehin bindjen se do të bëjnë maksimumin e tyre në institucionet që u janë besuar.
"Me Bora Muzhaqin na lidhin shumë gjëra: “nxënëset e reja të klasës”, pasioni për sipërmarrjen dhe startupet. Na lidh edhe puna tashmë. Bora ka qenë këshilltare e jashtme për BERZH tek Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ku unë së shpejti nis detyrën. Takimi kishte kryefjalë arritjet dhe sfidat e institucionit. Gjej rastin që edhe publikisht ta uroj Borën për detyrën e re dhe t'i uroj sa më shumë impakt për të rinjtë e fëmijët", shkruan Bilali.
Ky postim i Bilalit është shpërndarë edhe nga Muzhaqi, e cila shkruan "Edona Bilali jam e bindur që do jesh gjithmonë në krahë të biznesit, dhe për çdo gjë do më kesh mbështetje për një klimë më të mirë të sipërmarrjeve dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre"