Dy miqësoret, De Biasi- lojatrëve
" Nuk shkojmë për shëtitje"

Dy miqësoret, De Biasi- lojatrëve<br />" Nuk shkojmë për shëtitje"
Dy miqësoret e radhës kundër Francës dhe Italisë do t’i shërbejnë kombëtares kuqezi për të fituar sa më shumë eksperiencë. Grupi i përzier ndërmjet të rinjve dhe veteranëve kërkon konfirmim edhe në nivele të tilla, prandaj trajneri Giani De Biasi kërkon që skuadra të luajë e bashkuar për të fituar sa më shumë në këto dy sfida.

”Duhet të fitojmë sa më shumë eksperiencë pasi luajmë ndaj dy skuadrave të forta. Kur luan ndaj ekipeve të këtij niveli ka shumë rëndësi paraqitja. Do të kërkojmë të mos pësojmë gola dhe të shfaqemi në fushë siç kemi bërë ndeshjet e fundit. Kam disa mungesa të rëndësishme si Xhaka e Kaçe, prandaj nuk kam marrë një vendim për formacionin”, ka theksuar De Biasi.

Çështja Meha nuk krijon aspak konfuzion në radhët e kombëtares sepse De Biasi e ka të qartë situatën e mesfushorit të Paderborn, i cili nuk është grumbulluar për këto dy përballje.
"Kur kanë kaluar 11 ndeshje nga kampionati gjerman, Meha nuk ka luajtur në 5 të parat, ndërsa në të gjashtën u aktivizua vetëm 12 minuta. Kur e grumbullova për Danimarkën dhe Serbinë e kuptova që nuk ishte në kondicionin e duhur fizik. Tani po luan në vazhdimësi dhe ka shënuar një gol por nuk besoj se është në gjendje të mirë me vetëm 150 minuta aktivizim. Meqë këto janë dy miqësore mendova për të mirën e klubit, lojtarit dhe kombëtares por dikush te Paderborn është ankuar. Gjithsesi ky është problemi i tyre”, ka shtuar De Biasi.

Tekniku italian i kombëtares shqiptare e pranon se dy miqësoret e radhës duhet të ndihmojnë grupin të jetë më i konsoliduar, por në asnjë mënyrë djemtë e tij nuk duhet t’i konsiderojnë si sfida të parëndësishme.

”Në këto dy sfida nuk do të shkojmë për shëtitje. Ne do të kërkojmë të mos humbasim, madje po të na jepet mundësia do të kërkojmë edhe fitore”, ka nënvizuar De Biasi. I të njëjtin mendim është edhe kapiteni Lorik Cana, i cili thekson se ndeshjet me kombëtaren nuk i konsideron asnjëherë si miqësore. Ai zbulon edhe një detaj interesant të vitit 2006 edhe pse 3 vjet më parë kishte zgjedhur të përfaqësonte Shqipërinë.

”Të përfaqësoj Shqipërinë në Francë është një gjë e veçantë për mua. Në vitin 2006 Raymond Domenech më tha që nëse do të luaja për Francën do të kisha shkuar në Botëror por unë nuk jam penduar për zgjedhjen që kam bërë”, ka thënë Cana.

Si kapiten në fushën e lojës, Cana drejton djemtë kuqezi, por karriera e tij një ditë do të përfundojë dhe ai shikon një kandidat në veçanti si pasardhësin e tij më të mundshëm. ”Do të luaj sa të kem mundësi fizikisht. Besoj se pas meje shiritin e kapitenit do ta marrë Mërgim Mavraj pasi ai është një lider në fushën e lojës”, ka shtuar Cana.

Në vijim, kapiteni sqaron momentet e vendimit për të mos dalë sërish në stadiumin e Beogradit pas dhunës së ushtruar në fushë. ”Bashkë me menaxherin dhe presidentin e FSHF-së vendosëm që ndeshja të mos vazhdonte për ne. Ajo që ka shkruar arbitri në raport është kontradiktore pasi ata na pyetën nëse ishim në gjendje të vazhdonim”, ka sqaruar Cana.
 

Në ditën e dytë të përgatitjeve të kuqezinjve në kuadër të miqësoreve me Francën dhe Italinë përfaqësuesja shqiptare mori një dhuratë të bukur nga Shoqata për kthimin e të shpërngulurve në trojet e tyre. Kreu i kësaj shoqate, Jahja Lluka, i dorëzoi kapitenit Lorik Cana, si përfaqësues i kuqezinjve, çmimin “Hasan Prishtina”, për merita të veçanta në mbrojtje të simboleve kombëtare, identitetit dhe dinjitetit shqiptar në ndeshjen e 14 tetorit në Beograd Serbi – Shqipëri.
lorik cana

Ky çmim u është akorduar personaliteve të ndryshme shqiptare dhe botërore, ndër të cilët mund të veçojmë ish-presidentin e SHBA-ve, Bill Klinton. Ndërkohë kombëtarja kuqezi e shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, duke i dhuruar kësaj shoqate fanellën me numër 5 të Lorik Canës, e firmosur nga të gjithë futbollistët e kombëtares.


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë