Fluksi i madh i refugjatëve që ka përfshirë ditët e fundit Maqedoninë, ku në kufirin jugor gjenden rreth katër mijë persona, ka sjellë që qendra e pranimit për refugjatë të jetë e ngarkuar me reth dy mijë persona. Të gjithë të lodhur nga rruga e vështirë, të plogsht, por të qëndrueshëm në qëllimin e tyre për të arritur në vendet në të cilat do të gjejnë paqe dhe të tentojnë, siç thonë, të kthejnë një faqe të re të jetës, pa luftë, dhunë dhe vuajtje.
 
Të prirë nga këto dëshira, rrugën nga Damasku e kanë marrë edhe dy miq, Omeri dhe Usame. Ata njiheshin që në kohën e studimeve. Takuan edhe miqtë tjerë të tyre. Ata nuk i ndau as lufta acaruese e cila tashmë disa vite po zhvillohet në vendin e tyre, për kundrazi, ka inspiruar që edhe më shumë të shoqërohen.
 
Në një deklaratë për Andolu Agency, ata treguan rrëfimin e tyre të rrugës shumë të rëndë drejt realizmit të një të ardhme më të ndritur. “Fillimisht me aeroplan kemi shkruar në Bejrut dhe jemi nisur drejt Turqisë. Më pas nga Turqia kemi udhëtuar deri te një ishull grek me varka të vogla. Ishte shumë rrezik. Kemi vazhduar me anije drejt Athinës, më pas me tren deri në kufi. Disa udhëtonin me autobus dhe me taksi. Kufirin e kemi kaluar në mëngjes dhe tani jemi në kamp. Destinacioni im është Gjermania ku do të vazhdojë studimin e inxhinierisë elektrokomunikuese, me ç’rast kam qenë viti i katërt”.
 
Me këto fjalë e filloi rrëfimin e tij Omeri nga Siria, gjersa pranë tij qëndronte miku i tij Usame të cilin e njihte prej kohësh. Ai në rrëfimin e tij vazhdon të tregojë vështirësitë me të cilat është ballafaquar, por edhe qëllimet e tij në rrugëtimin e metejshëm jetësor. “Kam braktisur Sirinë para tre javëve. Kisha disa opsione. Vitin e kaluar vëllai im shkoi në Suedi, ndërsa unë zgjodha Gjermaninë sepse mund të vazhdoj studimet. Sigurisht se udhëtimi ishte i vështirë, nuk është asgjë e re, kjo tashmë dihet botërisht por më vëshitë ka qenë udhëtimi me varkë”, tregon miku i Omerit, Usame-ja.
 
“Në kushte normale vetëm 35 persona mund të udhëtonin me varkë, por ata që organizonin udhëtimin  merrnin 50-55 persona në një varkë. Ishin tre varka me rreth 200 persona. Nëse vendos të marrësh rrugën me varkë,  nuk ka kthim, kemi udhëtuar me maune, të ngarkuar me rreth 200 persona duke udhëtuar katër orë të plota”, shtoi Usame, të vetëdijshëm se për këtë udhëtim duhej përgatitje fizike, psikike, por edhe financiare.
 
“Mua më janë dashur rreth tre mijë dollarë për udhëtim. Varka nga Turqia deri në Greqi kushton 1.200 dollarë, taksi nga Hungaria deri në Gjermani 500 euro. Këto janë shpenzimet më të mëdha, të tjerat janë në ushqim, ujë dhe strehim”, deklaroi Omeri, duke folur për aspektin financiar të udhëtimit të refugjatëve.
 
Omeri ka shpresë që vendi i tij do të rindërtohet ndonjë ditë në të ardhmen dhe atëherë do të dijë si ta ndihmojë. “Shpresoj se vendi jonë do të rimëkëmbet. Kur të mbërrijmë në destinacionin tonë final do të mundohemi të bëjmë më të mirën. Ndoshta, kur të përfundojmë studimet, do të punojmë në ndonjë kompani dhe do të mundohemi t’i ndihmojmë njerëzit tanë”, u shpreh Omeri.
 
Nga ana tjetër miku i tij Usame tregon se së bashku me Omerin këtë rrugë e kanë marrë pa familjet e tyre, duke shpjeguar se nuk është në gjendje që të mbajë kontakt të vazhdueshëm me familjen. “Nuk udhëtoj me familjen si dhe nuk mund të komunikoj me to pasi jo çdokund ka rrjet ëi-fi, por edhe telefoni shpesh herë na mbetet pa  bateri dhe nuk kemi ku t’i mbushim”, tregon ai. Që të dy qëndruan në Siri përgjatë tërë kësaj kohe, por humbën shpresat se mund të ndryshohet diçka për të mrë, ndaj edhe morën rrugën me guxim. “Kam qëndruar katër vite në Siri. S’ka shpresë, deklaroi Omeri.
 
“Nuk dua të kthehem në shtetin tim. Kam duruar katër vite me shpresë se secili vit i ardhshëm do të bëhet mirë, e që në fund të humbim shpresën. Vendosëm të marrim rrugën dhe të vazhdojmë jetën në përpjekje për të gjetur paqe. Familja ime nuk deshi të braktiste vendin, nuk dëshiron të shkoj askund dhe dëshiron të vdes atje”, e plotësoi mikun e tij Usame-ja duke rrëfyer për familjen dhe dëshirën e tyre që me çdo çmim mos të braktisin vendlindjen.
 
Ata shprehen se shumë veta pyesin se prej nga i kanë paratë, smart telefona, laptopa dhe gjërat tjera, por ata shprehen se këto janë të domosdoshme për jetë, veçmas në këto rrethana të vështira. Omeri tregon se është i gatshëm për rrugë, se  e di ku shkon dhe se nuk do ta lë mikun e tij pa marrë parasysh rrethanave. “Ne këtë rrugë e kemi marrë duke parë ku shkon shumica e njerëzve por edhe në konsultim me miqtë tanë që kanë udhëtuar më herët. Nuk harxhojmë shumë para për komunikim, gati çdo kund mund të gjejmë internet dhe pastaj vazhdojmë rrugën, kemi bërë hulumtime për këtë”, tregon Omeri. “Situata ekonomike në vendin tim është tejet e keqe. Valuta siriane bie për çdo ditë. Më herët kemi mund të fitojmë nga tre mijë dollarë brenda më pak se një viti, ndërsa tani me vite duhet të punojmë për të fituar të njëjtën shumë”, sqaron situatën ekonomike në Siri.
 
Omeri dhe Usame-ja tregojnë sesi ka njerëz që janë nisur me çmimin  jetë ose vdekje.  “Njerëzit shesin gjithçka posedojnë për të mbledhur para për udhëtimin. Disa i shesin të gjitha dhe nëse nuk u shkon mirë gjatë rrugës, mbesin në rrugë pa asgjë”, theksoi Omeri, duke potencuar se refugjatët nuk mendojnë për paratë, por vetëm në dëshirën për të jetuar në paqe për të ndërtuar një të ardhme. “Ne nuk duam para në vendet ku shkojmë. Nuk mendojmë në paratë. Kur të përfundojmë studimet do të mund të punojmë, të ndërtojmë jetën në paqe”, tregon Omeri. Këta dy miq të ngushtë janë fortë të vendosur që të mos heqin dorë nga rruga e tyre dhe të bëjnë çmos për të arritur, siç thonë, mëngjesin e lumtur. Rruga e tyre është rraskapitëse, e rëndë dhe e mundimshme, por Omeri dhe Usameja thonë se asgjë nuk mund t’i ndalë në rrugën e tyre.


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )