Dy turistë gjermanë kanë lëshuar sinjal SOS pasi kanë mbetur të bllokuar në malin e Çikës. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se ata kanë humbur orientimin gjatë ecjes në terrenin e vështirë malor, ndërsa njëri prej tyre mund të jetë dëmtuar ose të ketë pësuar probleme shëndetësore.

Menjëherë pas marrjes së sinjalit është organizuar operacioni i kërkim-shpëtimit. Drejt zonës janë nisur efektivët e forcës speciale Delta Force, shërbimet e Policisë së Vlorës dhe punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura për t'u ardhur në ndihmë dy turistëve.

Është njoftuar edhe një helikopter, i cili do të përdoret nëse kushtet e terrenit dhe situata e turistëve e bëjnë të nevojshëm transportin ajror.

Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa priten informacione të tjera për gjendjen e dy turistëve dhe ecurinë e ndërhyrjes.