TIRANE - Çifti që bashkëjetonte në Kombinat kishte plot 13 fëmijë nga martesat reciproke të mëparshme. Viktima Mira Nikolli kishte nëntë fëmijë nga një martesë e mëparshme, e cila kohë më parë, kishte përfunduar me divorc. 5 prej fëmijëve të saj ndodhen jashtë shtetit. Njëra nga vajzat punon në Zvicër. Ndërsa 3 fëmijët e tjerë, më e madhja 18-vjeç banonin me qira në pallatin përballë çiftit.

Djalin më të vogël e mbante çifti. Fëmijët e tjerë jetonin vetëm dhe shpesh shkonin te nëna e tyre që ta takonin. Banorët e lagjes thanë se viktimat më parë kanë qenë me qira në një apartament tjetër, por më pas janë transferuar për në hyrjen në rrugën “Altin Basha”, aty ku ndodhi edhe krimi, në mënyrë që të ishin pranë fëmijëve të 48-vjeçares.

Ndërsa Ali Veterniku kishte 4 fëmijë. Para dy vitesh atij i kishte vdekur bashkëshortja. Fëmijët e Veternikut janë që të gjithë të rritur, tashmë kanë krijuar familjet dhe jetën e tyre. Sipas fqinjëve kanë qenë fëmijët e Veternikut, ata të cilët nuk ishin dakord që babai i tyre të martohej me Mira Nikollin. Kjo bashkëjetesë është kundërshtuar nga fëmijët e Ali Vertenikut.

Mbrëmjen e së mërkurës kur ka ndodhur ngjarja, në shtëpi kanë qenë edhe fëmijët e Mira Nikollit, të cilët 64-vjeçari i ka nxjerrë nga apartamenti. Ndërkohë që fëmijët nuk e kanë parë skenën e vrasjes pasi kanë dalë nga apartamenti. Ata për momentin kanë ndenjur prapa derës, duke trokitur e duke thërritur nënën e tyre.

Madje, fqinjët konfirmojnë se fëmijët i binin në celular nënës së tyre, por askush nuk i përgjigjej. Pasi janë dëgjuar të shtënat fqinja në hyrjen përballë çiftit, ka marrë 4 fëmijët dhe i ka strehuar në shtëpinë e tyre. Më pas, ata i kanë marrë forcat policore.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 05.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)