DURRËS - Një punishte e ngritur në shtëpi që shërbente si bazë për prodhimin e paligjshëm të verës "Shardone" u zbulua nga policia e Durrësit, ku u vu në pranga edhe pronari 45-vjeçar. Astrit Kalushi akuzohet për prodhim dhe tregtim të palicencuar të pijeve alkoolike.
 
Sipas policisë së Durrësit, gjatë kontrollit të kryer në punishten e Kalushit në zonën e Spitallës pranë varrezave të reja, u gjetën dhe u bllokuan një sasi prej rreth 17 mijë e 500 litra verë me vlerë prej rreth 2 milionë lekë të reja, 200 litra raki me vlerë rreth 120 mijë lekë dhe një sasi prej 10 mijë litra lëng i fermentuar i gatshëm për prodhim.
 
Nga hetimi i kryer në dy muaj, policia ka zbuluar se ky person kishte përshtatur katin e parë të banesës së tij për ushtrim aktiviteti të palicencuar për prodhimin e pijeve alkoolike.
 
Astrit Kalushi  dyshohet se kishte së paku dy vite që kryente këtë aktivitet, ndërsa mësohet se kishte importuar nga Italia pajisje moderne për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm.
 
Pavarësisht këtij investimi që sipas hetuesve kapte vlera të konsiderueshme Kalushi, nuk kishte marrë mundimin për t’u regjistruar dhe certifikuar pranë organeve kompetente.

FOTO
FOTO

U sekuestruan:
•të gjitha pajisjet e ushtrimit të aktivitetit të cilat kapin vlerën rreth 10.000 €;
•sasinë prej 17.500 litra “Verë” të Kuqe dhe të Bardhë;
•200 litra “Raki” dhe
• 10.000 litra lëndë të fermentuar e gatshme për prodhim pije alkoolike “Raki”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)