2 zjarrvënie të qëllimshme në Vlorë! Digjet dyqani me rroba, autori i shkon në shtëpi për t’i djegur dhe makinën! Biznesmenit i djegin 3 mjete në ‘Transballkanike’

Forcave zjarrfikëse, policisë dhe grupit hetimor në Vlorë iu desh të zbardhin 2 zjarrvënie të qëllimshme njëra pas tjetrës.

Njoftimi i parë erdhi rreth orës 01.30 të mëngjesit për një zjarr në një dyqan shumice me rroba në lagjen “Hajro Çakërri”. Dyqani në prinësi të Faraudin Veizajt, 65 vjeç, thuajse u shkrumbua totalisht por fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar. Por autori nuk u mjaftua me kaq.

Një grup me efektivë u desh të shkojë pranë banesës së 65-vjeçarit. Autori 39-vjeçar Qerim Mara të cilin autoritetet e identifikuan dhe e shpallën në kërkim, tentoi të djegë duke i shkaktuar dëme të vogla, makinën e parkuar në shtëpinë e Faraudin Veizajt në lagjen e “Ujit të Ftohtë”.

“Nuk kam konflikte me asnjë persona, madje kam ndihmuar këdo që ka pasur nevojë. Pres të arrestohet autori për të kuptuar se çfarë ka ndodhur”, mësohet të jetë shprehur Veizaj në dëshminë dhënë në polici.

Nuk kaloi shumë, dhe rreth orës 02.00 të mëngjesit, grupit hetimor iu desh të zbardhë një tjetër zjarrvënie të qëllimtë. Në lagjen “24 Maji” në rrugën Transballkanike, tre makinave të parkuara në pronësi të dy ortakëve në biznes dhe një personi të tretë iu vu zjarri duke u shkrumbuar totalisht.

Report Tv siguron pamje nga kamerat e sigurisë të momentit kur 2 persona të veshur me të zeza me kapuç në kokë dhe dy bidonë me benzinë në duar, shkojnë në drejtim të makinave, i spërkasin me lëndën djegëse, dhe i vënë flakën. Ende pa u larguar mirë, në një veprim amator, njëri nga autorët ndez zjarrin nga shumë pranë makinave, duke rrezikuar të digjeshin edhe vet.

Dy furgonat pranë njëri-tjetrit janë në pronësi të Zamir Kormuzit dhe Dino Sadikajt, ortak në një pikë grumbullimi hekurash, ndërsa autovetura Fiat Punto  është në pronësi të Ysni Ibrahimajt. Nuk dihet ende nëse automjeti i tij është djegur aksidentalisht nga flakët e përhapura apo nëse edhe Ibrahimaj ka qenë në shënjestrën e autorëve.

Zamir Kormuzi nuk është i panjohur për policinë, sot është biznesmen në qytetin e Vlorë, por në të shkuarën është arrestuar dhe më tej është liruar nga gjykata. Në shkurt të 2020-ës në një traget që vinte nga Italia në Vlorë, u gjetën dhe sekuestruan 15 fuçi të dyshuara me lëndë kimike dhe 40 metër kub lesh xham pa asnjë dokumentacion deklarimi, të cilat do të çoheshin në pikën e grumbullimit të mbetjeve në administrim të Zamir Kormuzit në lagjen “24 Maji”, e njëjta zonë ku edhe i dogjën furgonin këtë të premte. Sipas hetuesve në atë kohë, në pikën e Kormuzit u gjetën mbetje të njëjta me ato të sekuestrua në traget edhe për shoqëria Kormuzi nuk kishte objekt të veprimtarisë së saj trajtimin e materialeve të tilla. 

Djegien e furgonit, Kormuzi e lidh me konkurrencën. Bashkëshortja e tij, Rozina, anëtare në Këshillin Bashkiak të Vlorës, nuk ka hezituar të bëjë edhe një postim në rrjetet sociale me mesazhe për autorët.

“Janë ziliqarë, janë maskarenj, janë jo trima, por lepuj, çakejtë e natës, sepse nata është e tyre, natën kanë frikacakët. Kaq mund të bëjnë lepujt sepse nuk munden të bëjnë më shumë me njeriun që sheh punën e vet e punëtor”, shkruan Rozina Kormuzi. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:28
Djegia e makinave në Vlorë, reagon gruaja e biznesmenit: Janë ziliqarë, jo trima! Ne mbajmë dhjetëra familje me bukë e punojmë me duar të pastra, do ja dalim sërish

1672389748_WhatsAppImage20221230at9.32.17AM.jpeg

Pas djegies të 3 mjeteve në pronësi të biznesmenit Zamir Kormuzi në Vlorë, ka reaguar bashkëshortja e tij Rozina përmes një postimi në Facebook ku thotë se është djersa e familjes së tyre. Teksa i cilëson ‘ziliqarë’ ata që i vunë flakën makinave duke i hedhur benzinë, thotë se do e marrin dënimin që kërkojnë.

“Jetojmë në vendin ku ujqërit e natës lëvizin e tu bien më qafë atyre që jetojnë me djersën e ballit. Ne që mbajmë dhjetëra familje me bukë dhe që shohim punën tonë punojmë me duar të pastra e djersë të ballit. Janë ziliqarë, janë maskarenj, janë jo trima po lepuj janë cakenjtë e natës sepse nata është e tyre. Natën e kanë frikacakët. I dashur bashkëshorti im, të dashur fëmijët e mi, mos u mërzitni, është djersa e familjes tonë por Zoti do t’i dënojë një ditë. Kurajo dhe forca do bëjmë vitin e ri e supriza na presin. Zamir kurajo mos u mërzit ja kemi dalë e prap ne jemi Familja Kormuzi! Kaq mund të bëjnë lepujt sepse s’munden të bëjnë më shumë me njeriun që sheh punën e vet e punëtor. Gëzuar festat dhe një vit i mbarë për të gjithë ju që na doni e respektoni miq, shokë, shoqe, motra e vëllezër”, shkroi Rozina Kormuzi.

Ora 09:52
I djeg dyqanin në mes të Vlorës, pastaj i shkon në shtëpi t’i vënë flakën makinës, shpallet në kërkim 39-vjeçari! Pronari: S'kam konflikte me njeri

VLORË- Një dyqani me mallra industriale i është vënë flaka gjatë natës në Vlorë, ndërsa në kërkim është shpallur autori.

Qerim Mara sipas policisë dyshohet se i ka vënë zjarrin dyqanit në lagjen ‘Muradie’, në pronësi të Faraudin Veizajt dhe më pas ka tentuar që t’i djegë këtij të fundit edhe makinën e markës “Toyota” në lagjen Uji i Ftohtë, të cilën e kishte parkuar pranë shtëpisë.

‘Qerim Mara në orët e para të mëngjesit, dyshohet se në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, i ka vënë zjarrin një dyqani shumice me mallra industrialë, në pronësi të shtetasit Faraudin Veizaj, 65 vjeç, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Gjithashtu, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në afërsi të baneses të shtetasit Faraudin Veizaj, ka tentuar të djegë edhe automjeti e markës “Toyota”, po në pronësi të këtij shtetasi.’- njofton policia.

39-vjeçari banues në lagjen ‘Hajro Çakërri’, në Vlorë është shpallur në kërkim si autor i dyshuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Faraudin Veizaj në dëshminë e tij dhënë për policinë është shprehur se nuk ka konflikte me njeri dhe se pret arrestimin e autorit për të kuptuar se çfarë po ndodh.

Ora 09:41
PAMJET nga djegia e automjeteve në pronësi të biznesnmenit në Vlorë, 2 persona me bidona benzine i vënë flakën makinave

Report Tv ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë ku duken qartë se si dy persona që mbajnë bidona me benzinë në duar, shkojnë në drejtim të automjeteve dhe i vënë flakën makinave në pronësi të biznesmenit Zamir Kormuzi.

Biznesmeni dyshon për zjarrvënie për shkak të konkurrencës.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike

Ylli Pata: Radiografia e linçimit publik, si një diagnozë politike