Juventusi fluturon në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Bardhezinjtë u dëfryen në “Allianz Stadium” ndaj Udineses duke fituar 4-0 dhe ai që shkëlqeu më shumë se të gjithë ishte Paulo Dybala me asis dhe dy gola. Argjentinasi fillimisht i shërbeu bashkëkombasit të tij Higuain që zhbllokoi shifrat ndërsa në minutën e 26-të Dybala shënoi vetë me penallti. Llogaritë u mbyllën në pjesën e dytë ku kapiteni Dybala realizoi një kryevepër në minutën e 58-të ndërsa tre minuta më vonë shënoi edhe Douglas Costa me penallti. Në çerekfinale Juvja pret fituesen e ndeshjes së sotme Parma-Roma.
Milani funksionon edhe në Kupë. Kuqezinjtë mposhtën 3-0 Spalin dhe sigurojnë fazën çerekfinale në të cilën do të përballen me Torinon. Piatek shënoi golin e parë duke mposhtur Berishën ndërsa gola shumë të bukur shënuan më pas Samu Castillejo dhe Theo Hernandez.Ibra qëndroi gjatë gjithë ndeshjes në stol.
Ndërkaq Fiorentina fitoi 2-1 ndaj Atalantës dhe i dhuroi vetes Interin në çerekfinale. Vjollcët arritën një fitore heroike falë golave të Patrick Cutrone dhe Pol Lirola ndërsa për bergamaskët kishte barazuar përkohësisht Ilicic. /Përgatiti Andi Kapxhiu/

Komente

