Përderisa Brukseli amniston Hashim Thaçin në emër të dialogut me Serbinë, ai dhe pjesa më e madhe e opozitës amnistojnë krime të shqiptarëve në emër të integrimit të serbëve.

Sa herë që Hashim Thaçit ia rrah krahët ndonjë zyrtar i Brukselit, në sy të kosovarëve ai mund të duket si një i përkëdhelur dhe i përkrahur i Bashkimit Europian. E raste të tilla nuk janë të pakta muajt e fundit, prej se ai me homologun e tij serb po bisedojnë dhe arrijnë marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh.

Por, përtej imazhit dhe makiazhit të Brukselit, shteti i udhëhequr nga Thaçi vuan pasojat e një keqqeverisjeje e cila filloi para më shumë se një dekade dhe u thellua vitet e fundit. Në fakt, Hashim Thaçi po provon të amnistohet nga të gjitha të këqijat në këtë vend në emër të dialogut me Serbinë, duke e sjellë atë në krye të agjendës së problemeve me të cilat përballet Kosova.

Brukselit i intereson që dialogu të ketë sukses, pa marrë parasysh nëse kosovarët paguajnë çmimin e shtrenjtë të papërgjegjësisë politike, të papunësisë e të varfërisë. Dhe, Thaçi duket ta ketë kuptuar mirë se mbështetja nga ana e Brukselit e amniston sadopak në sy të shumicës së qytetarëve nga të bëmat korruptive e kriminale të njerëzve që janë pjesë e ekzekutivit ose partisë së tij. E amniston sadopak nga përgjegjësia për shtetin e dërmuar politikisht e ekonomikisht, për shtetin e kapur e të izoluar, për shtetin që po e zhvatin dita- ditës.

Sa herë që Hashim Thaçit ia rrah krahët ndonjë zyrtar i Brukselit dhe vlerësohet për konstruktivitet e punë të mirë në dialog, ai amnistohet sadopak nga të bërat e tij, respektivisht nga premtimet e papërmbushura e të pabërat në sfidat më të rëndësishme si zhvillimi ekonomik, lufta kundër hajnisë, korrupsionit e krimit të organizuar dhe ndërtimi i institucioneve demokratike.

Sa e ndjeshme është qeveria ndaj gjithçkaje që vjen nga Brukseli, e sa imune, fort imune ndaj qeverisjes së mirë e të përgjegjshme dhe llogaridhënies përballë qytetarëve. Por jo gjatë mund të fshihet Thaçi pas krediteve të fituara në Bruksel. Problemet vetëm po shtohen e zgjidhjet po rrallohen. Brukseli e as kërkush tjetër s’mund ta shpëtojë askënd nga ecja drejt greminës.

* * *

Përderisa Hashim Thaçi amnistohet në emër të dialogut me Serbinë, ai dhe pjesa më e madhe e opozitës amnistojnë krime të shqiptarëve në emër të integrimit të serbëve. Duke insistuar që të votohet një projektligj për amnisti, nëpërmjet të cilit legalizohet (edhe) kriminaliteti ekonomik i 14 viteve të fundit në mbarë Kosovën, ata po provojnë që të përfitojnë për vete dhe njerëzit e tyre, të cilët s’kanë lënë gjë pa bërë - të mbështjellur shpesh edhe me petkun e patriotizmit dhe në emër të UÇK’së. Me projektligjin për amnisti po legjitimohet pasurimi i paligjshëm i të gjithë atyre që nuk ia dinë skajin pasurisë së fituar jo nga puna e ndershme, por nga punët e liga.

Në emër të amnistimit të Veriut dhe integrimit të asaj pjese në sistemin juridik të Kosovës, nuk duhet të kriminalizohet krejt shteti dhe shoqëria kosovare dhe të rrënohet sistemit ligjor e kushtetues.

Assesi nuk dua të tingëlloj sikur kundërshtoj amnistinë për Veriun. Unë jam pro amnistisë, sepse besoj se është e domosdoshme për atë pjesë të vendit. Por jam kundër këtij lloji të amnistisë që na servohet nëpërmjet projektligjit që pritet të votohet në Kuvend.

Kur sheh veprat penale të cilat propozohet të amnistohen, të krijohet përshtypja se hartuesit e ligjit kanë pasur përpara listat me emrat e përveçëm të personave të përfshirë në krime - zyrtarë partish politike ose të afërt me ta.

Heqja e Nenit 3 nga projektligji është e pamjaftueshme, sepse ka mbetur Neni 5, i cili duhet të qartësohet. Ndërkaq, është e nevojshme që të përcaktohen kriteret, politikisht dhe juridikisht, se çfarë synohet të arrihet me një amnisti të tillë.

Nuk ka kurrfarë arsye reale që amnistia të shtrihet jashtë komunave veriore të Kosovës. Një gjë e tillë iu vjen përshtati vetëm keqbërësve, të cilët operojnë tash 14 vjet, të përfshirë ose të lidhur ngushtë me struktura partiake e kriminale gjithandej vendit. Dhe tash, këto struktura partiake të cilat kanë përfituar fort nga mungesa e ligjit e rendit, duan t’i shpërblejnë ata me falje krimesh.

Me projektligjin për amnisti diskriminohen qytetarët e ndershëm, ata që punuan dhe vazhdojnë të punojnë sipas ligjit, ata që paguan dhe vazhdojnë të paguajnë tatime për shtetin, ata që nuk kanë zgjedhur të veprojnë si të tjerët – të cilët e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë shtetin dhe për këtë nuk dënohen, por shpërblehen. Sepse kështu duan politikanët të cilët, të qenurit në pushtet, por edhe në institucione e konsiderojnë privilegj, e jo përgjegjësi.

* * *

Hashim Thaçit mund të vazhdojnë t’ia rrahin krahët zyrtarët e Brukselit dhe të fitojë poena politikë. Por ai, ashtu si dhe askush tjetër nuk ka të drejtë t’i amnistojë krimet e shqiptarëve në emër të integrimit të serbëve. Të amnistojë paligjshmërinë në emër të ligjit - shkatërrimin në emër të integrimit.

Nga Imer Mushkolaj