Një tjetër skemë e dyshuar për tjetërsimin e pronave shtetërore është zbuluar në Durrës, duke çuar në vendosjen e 12 masave të sigurisë ndaj ish-funksionarëve të Hipotekës dhe personave që dyshohet se kanë përfituar prona në mënyrë të paligjshme. Hetimi disa-vjeçar i Prokurorisë së Durrësit ka nxjerrë dyshime për falsifikim dokumentesh, mashtrim, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Autoritetet po vijojnë verifikimet për mënyrën e regjistrimit dhe kalimit të pronave.
Mes personave që është lëshuar masa 'arrest me burg', është dhe ish-drejtori i Kadastrës Ardian Kona, kushëriri i Monika Kryemadhit.
Sipas dosjes hetimore, problemet janë evidentuar gjatë inventarizimit të regjistrave hipotekorë në Drejtorinë Vendore të Kadastrës Durrës. Nga 1.063 regjistra të kontrolluar, vetëm 152 rezultuan pa problem, ndërsa 908 regjistra u konstatuan me dëmtime ose ndërhyrje të dyshuara, përfshirë faqe të zhdukura, të zëvendësuara, të dubluara apo të vendosura jashtë rendit kronologjik.
Prokuroria dyshon se këto ndërhyrje në dokumentacion mund të jenë përdorur për manipulimin e të dhënave të pronësisë dhe kalimin e pasurive shtetërore në favor të subjekteve private. Masat e sigurisë përfshijnë arrest me burg për 4 persona, arrest në shtëpi për 4 të tjerë dhe detyrim paraqitjeje për 4 persona të tjerë, të dyshuar për vepra të ndryshme penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve, mashtrimin dhe shpërdorimin e detyrës.
Hetimet për dosjen e re vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë edhe nëse pronat e përfituara në mënyrë të dyshuar janë transferuar apo shitur më pas te persona të tretë.
Lajmi në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente





