Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka sekuestruar armën e zjarrit të efektivit të policisë në Durrës, Leonard Xhamollari, me funksion ndihmës specialist në sallën e komandimit, i cili dyshohet se është përfshirë në një sherr, pjesë e të cilit u bë edhe 41-vjeçari Denis Tafili, i kërkuar nga SPAK.

Polici ka qenë prezent në lokal kur ka ndodhur sherri, por në deklarimet e tij para agjentëve të AMP-së është shprehur se nuk ka lidhje me të kërkuarin e SPAK, Denis Tafili.

Edison Gjuzi, i cili u dhunua me qytën e pistoletës nga Tafili, pretendon se ka parë efektivin e policisë disa herë nën shoqërinë e Tafilit dhe personit tjetër që e dhunuan.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është duke verifikuar kamerat e sigurisë për të mësuar nëse efektivi ka favorizuar të kërkuarin e SPAK, Denis Tafili.

Një njoftim i policisë, shpjegon se konflikti ka nisur për motive të dobta, ku Gjuzi është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit Tafili dhe një 27 vjeçar me inicialet G. M. Të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet. Pavarësisht postblloqeve të ngritura nga policia, dyshja nuk është arritur të kapet.

Në maj të këtij viti Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për grupin e Elvis Doçit, pjesë e të cilit është dhe Tafili. Grupi u godit një vit më parë falë operacionit të përbashkët me autoritetet italiane, “Ura”. Ndaj 24 anëtarëve të grupit rëndojnë akuzat për trafik ndërkombëtar kokaine, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. gjatë ekzekutimit të këtij operacioni janë sekuestruar edhe 4 milionë euro cash dhe 12 milionë euro pasuri, kryesisht prona.

Në 21 maj të vitit të kaluar, kur u ndërmor edhe operacioni, u vendos sekuestro për miliona euro pasuri, përfshirë 2 kompani ndërtimi, 4 restorante luksoze, 1 agjenci imobiliare, 1 televizion në Vlorë, të dyshuara se ishin financuar nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ndërkohë, në vendin fqinj janë sekuestruar 9 apartamente, 4 kompani, 7 llogari bankare dhe 3 makina.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.