Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në bashkëpunim tme Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane, ka zhvilluar gjatë gjithë ditës së sotme një operacion të gjerë kërkimi për një pasagjer të raportuar si i zhdukur prej 2 ditësh nga trageti ndërkombëtar “AKKA”, me të cilin po udhëtonte nga Korfuzi drejt Italisë.

Raportohet se është kërkuar me intensitet në Kepin e Stillos, Ksamil, Karaburun e Grykderdhjen e Semanit, dhe se në operacion janë angazhuar 22 efektivë dhe 8 mjete ajrore e detare.

Forcat dhe mjetet e angazhuara:
1 Dron TB2 i Forcave Ajrore
1 Helikopter UH-60 i FA (me 3 efektivë)
1 anije patrulluese P05 e Forcës Detare (me 4 efektivë)
1 motor uji (me 2 efektivë)
4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare (BP-01, BP-06, BP-09, BP-30) me gjithsej 13 efektivë

“Operacioni është zhvilluar në koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur çdo protokoll të kërkim-shpëtimit në det.

Kërkimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve dhe kushteve detare”,- njofton policia.