TIRANE- Një ditë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në Selitë, ku humbën jetën Ervin Shaba dhe Adnan Luli, mbetet ende e paqartë mënyra sesi janë vrarë dy të rinjtë të cilët fillimisht dyshohet se kishin hyrë për të grabitur në banesën e Flamur Ymerit. E raportuar në polici si një vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes nga Ymeri, “A1 Report” ka mundur të mësojë nga organi i Akuzës dhe ekspertët e kriminalistikës, të cilët dyshojnë për fshehje të provave, sepse në njërin prej dy viktimave, rezulton se vrasja mund të jetë kryer nga një armë tjetër, e cila nuk është sekuestruar nga grupi hetimor.
 
Viktimat Shaba dhe Luli, mbetën të vrarë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, ku si provë materiale janë sekuestruar një pistoletë model tip “TT” dhe një automatik “Scorpion”.
 
Ky fakt ka bërë që organi i Akuzës dhe prokurori Erion Imeraj, të rifillojnë edhe njëherë kërkimet për armën e pagjetur, duke dyshuar në deponimin në polici të dhënë ditën e mërkurë nga 46-vjeçari Ymeri.
 
Dy trupat e pajetë janë identitifikuar katër orë pas krimit, ku, të dy rezultonin të ishin banues të zonës së Selitës. Nga ana tjetër, njëri nga viktimat Adnan Luli rezulton të jetë djali i ish-deputetit Gëzim Luli, në vitet 1992-1996.
 
Policia dhe Prokuroria kanë hedhur dyshime se dy grabitësit e vrarë, kishin kryer edhe grabitje të tjera në zonën e Selitës, grabitje që janë kryer të gjitha në oraret e drekës ose të mëngjesit kur siguroheshin se nuk kishte persona në shtëpi.
 
Nesër Flamur Ymeri do të dalë përpara togave të zeza, ku edhe do t’i jepet masa e arrestit nga Gjykata e Tiranës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që prokurorët ta cilësojnë edhe si vrasje me dashje të kryer nga Ymeri.

viktimat me logo
(Në foto: Viktimat, Ervin Shaba (djathtas) dhe Adnan Luli (majtas)


 
Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)