Grekët po hapin një parcelë për zbulimin e eshtrave të ushtareve greke të rënë në luftën italo-greke në vitet 1940-1941. Komisioni i përbashkët greko shqiptar ka urdhëruar hapjen e kësaj parcele te pozicionuar përbri stadiumit të qytetit të Përmetit. Parcela qe po hapet sot parashikohet te shtrihet me një gjatësi 80×40 metra. Në vendngjarje ka përfaqësues nga trupi diplomatik grek i akredituar në Tiranë si dhe juristi i Prefekturës së Gjirokastrës i cili nuk pranoi të jepte informacion pasi nuk ishte i autorizuar. Mendohet se në këtë parcele ka varr masiv të ushtarëve grekë të cilët sipas komisionit të përbashkët vlerësohet të jenë varrosur mbi 100 trupa.

Prefekti i Gjirokstrës, Odise Kote, në një prononcim për Report Tv shprehet se këto gërmime bëhen si pasojë e marrëshjeve ndërqeveritare të firmosura që prej vitit 2010. 

"Në vitin 2010 është nënshkruar një marrëveshje protokoll mes dy qeverive greko-shqiptare për gjetjen e eshtrave të ushtarëve greke të rënë në luftë. Kjo marrëveshje është pasuar nga disa VKM gjatë kësaj periudhe. Marrëveshja është lidhur mes ministrive të mbrojtjes dhe asaj të jashtme të Greqisë dhe Shqipërisë. Aktualisht në terren është një ekip me përfaqësues grek dhe shqiptar në nivel shtetëror dhe teknik. Ndërsa punëtorët janë privat të kontraktuar për këtë punë. Ky vend ka qenë i përcaktuar në hartë. Ekipi i përbashkët ka zhvilluar takimin e fundit në Tiranë në datat 14-15 dhjetor dhe është përcaktuar të nisin tani gërmimet në Përmet. Kjo zonë pranë stadiumit është një nga pikat ku do gërmohet por do të ketë dhe të tjera. Marrëveshja është mes dy qeverive dhe ne si prefekturë kemi vetëm detyrimin që të marrin masa që ata të mos kenë probleme, nuk kemi rol tjetër", tha ai.