Eric Swalwell është tërhequr nga gara për guvernator të Kalifornisë, pas rritjes së presionit lidhur me akuza për sulme seksuale.

Demokrati është akuzuar nga katër gra për sjellje që variojnë nga ngacmimi seksual deri te përdhunimi. Ai i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se do të mbrohet me “fakte”.

Aleatë të rëndësishëm kishin bërë thirrje që ai të tërhiqej nga gara për guvernator, ku konsiderohej ndër kandidatët kryesorë demokratë. Tërheqja e tij vjen në një moment vendimtar të garës së hapur, vetëm pak javë para se votuesit të marrin fletët e votimit me postë për zgjedhjet e 2 qershorit, që do të përcaktojnë guvernatorin e ri të shtetit më të populluar të SHBA-ve.

Në një postim në X, Swalwell shkroi: “Po pezulloj fushatën time për guvernator. Familjes, stafit, miqve dhe mbështetësve të mi u kërkoj ndjesë të thellë për gjykimin e gabuar që kam bërë në të kaluarën. Do të luftoj akuzat serioze dhe të rreme që janë bërë, por kjo është beteja ime, jo e një fushate.”

Vendimi i tij erdhi dy ditë pasi akuzat e para u publikuan në San Francisco Chronicle. Një ish-punonjëse pretendoi se ai kishte bërë komente të papërshtatshme dhe mesazhe me përmbajtje seksuale, si dhe se një natë në vitin 2019 u zgjua në dhomën e tij të hotelit pa kujtesë të qartë të ngjarjeve.

Më vonë, katër gra të tjera dolën me akuza të ngjashme në një lajm të publikuar nga CNN.

Brenda pak orësh nga publikimi i akuzave, Sëalëell humbi mbështetjen e disa aleatëve të rëndësishëm, përfshirë senatorin Adam Schiff dhe liderin e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve Hakeem Jeffries.

Avokatët e tij kishin dërguar më herët urdhra ligjorë për ndalim publikimi ndaj dy prej akuzueseve, ndërsa ai i ka mohuar fuqishëm pretendimet dhe ka thënë se do të mbrojë veten “me fakte” dhe, nëse duhet, përmes veprimeve ligjore.

Në garën për guvernator pritet të marrin pjesë të paktën 10 kandidatë, në një sistem primar ku dy kandidatët më të votuar kalojnë në zgjedhjet e përgjithshme, pavarësisht partisë.