Hapja e aktivitetit u krye nga drejtoresha e Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Linda Karcanaj, që sqaroi në detaje ndryshimet. Zonja Karcanaj tha se me lancimin e këtij portali qytetarët nuk do të rrinë më në radhë për të paguar faturat e energjisë, taksat e makinës, apo regjistrimin e bisnesit, por ky proces mund të kryet qoftë dhe nga celulari në vetëm pak minuta. Aktualisht shërbimet janë 150 por synohet që numri të shkojë në 250 brenda vitit. Ndërsa shërbimet e informmimit janë reth 600, por që gjithashtu synohet shtimi.
AKSHI është agjencia e cila ka realizuar dhe administron portalin E-Albania.
Rama: Drejt një shteti që shërben online. Trashëguam bazë të dhënash vetëm me 12 shërbime!
Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se me këtë portal, qytetarët nuk do të kenë arsye që të shkojnë dhe sorollaten nga zyra në zyrë, por do të mund të kryejnë një sërë shërbimesh vetëm nga një kompiuter ose qoftë dhe celulari. Për kryeministrin me këtë reformë të rëndësishme reduktohet në mënyrë drastike korrupsioni, pasi nuk do të ketë më arsye për shkuar nëpër sportele.
“Ky proces është i lidhur me çfarë të dhënash disponohen nga institucionet dhe çfarë baze të dhënash disponojmë në tërësi për të bërë të mundur që çdo institucion të modernizojë marrëdhëniet e veta me qytetarët, por edhe që mes institucioneve të ketë ndërveprim, duke integruar sistemet informatike. Kjo sjell në destinacionet që duam të arrijmë një shërbim shumë transprarent, të shpejtë dhe shumë më cilësor. Një shtet që në tërësinë e tij është shumë i paprekshëm sesa sot nga korrupsioni, nëse do t’i referoheshim bazës së të dhënave të trashëguara sot kemi bërë një punë kolosale duke arritur që nga 12 shërbime që kishte portali në 2013 të kemi mbi 150 shërbime dhe duke krijuar kushtet që në një kohë të shpejtë 89 shërbime të reja të shtohen dhe në kornizën e ndërveprimit të arrijnë 30 institucione. Nëse bazat e të dhënave nuk janë funksionale është e kuptueshme që kompjuteri më i sofistikuar në botë nuk ka çfarë të japë përderisa ushqimi vjen nga baza e të dhënave. Dua të nënvizoj se ky portal është pjesë e një projekti që lidhet me programin e kalimit nga një shtet që shërben me njerëz në një shtet që shërben online”, - tha Rama.
Rama: Po punojmë për krijimin e një “qendre tregtare” me të gjitha shërbimet online
Por paralel me këtë projekt, kryeministri Rama tha se është duke u punuar edhe për krijimin e një qendre të vetme që ofron të gjitha shërbimet online.
“Ndërkohë jemi duke punuar intensivisht me një ekspertizë të lartë ndërkombëtare dhe me mbështetjen e Bankës Botërore me të cilën kemi ngritur një skuadër të përbashkët për të mundësuar që paralelisht me krijimin e bazës së të dhënave për shërbime të veçanta, të krijojmë një qendër tregtare shërbimesh, që do të thotë se njerëzit nuk do kenë nevojë të shkojnë nga një zyrë në një tjetër, por t’i ketë shërbimet në një qendër të vetme shërbimesh që do të funksionojë online po nevojën e ndërverprimit me sportelistët dhe korrupsionin që e dimë se si ka funksionuar e vazhdon të funksionojë”, tha Rama.
Për kryeministrin ky rrjet shërbimesh do të shtrihet në gjithë vendin, përfshirë edhe bashkitë.
“Komunat e sotme apo bashkitë që do të përfshihen brenda bashkive të mëdha do t’i kthejë në njësi shërbimesh online. Paralelisht po punojmë me Bankën Botërore për të transformuar shërbimin në ato raste kur do të jetë e nevojshme të ketë sportel dhe një komunikim me përfaqësues të institucioneve”, -tha Rama.
Rama: Komisariati dixhital, aplikacioni më i shkarkuar sot në Shqipëri
Në fokus të fjalës së tij, kreu i qeverisë vuri edhe komisariatin dixhital, aplikacioni më i ri ku qytetarët denoncojnë shkelje të ndryshme pa dashur të shkojnë fizikisht në stacionet policore. Sipas Ramës, në vetëm pak ditë nga prezantimi, komisariati dixhital është aplikacioni më i shkarkuar sot në telefonat e shqiptarëve.
“Qytetarët janë të gatshëm dhe i presin me dëshirë këto transformime dhe mundësinë e aksesit të drejtëpërdrejtë në marrëdhënie me institucionet përmes teknologjisë, pavarësisht prapambejtjes që kemi trashëguar”, tha Rama.
Drejtorsha e AKSHI, Karcanaj: Shtohen edhe 89 shërbime të tjera elektronike
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Linda Karcanaj, tha se brenda vitit nga 150 shërbime që ka aktualisht, portalit E-Albania do t’i shtohen edhe 89 shërbime të tjera elektronike, ndërsa po ashtu, shtoi- Karcanaj, numri I institucioneve që ndërveprojnë për të sjellë këto shërbime online, do të shkojë në 32.
“Qytetarët e biznesit përfitojnë shërbime publike online. Nuk do trokasin më qytetarët në zyrat e shtetit, por zyrat do të vihen në dispozicion ku duan qytetarët. Portali sjell edhe risinë, mundësinë e pagesës online. Nëpërmjet kartës së kreditit qytetarët dhe bizneset mund të paguajnë online faturat e dritave, të ujit,taksat e makinave, tarfifa për shërbime të ndryshme të tjera nëpërmjet portalit E-Albania. mes shërbimeve të reja spikasin aplikimet për regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të biznesit. Aplikimet për licenca në Qndrën Kombëtare të Licencave. Aplikimi për njohjen e diplomave të huaja, për pëfitim pensioni e mjaft shërbime të tjera. Portali E-Albania u publikua fillimisht ditën e përvjetorit të pavarësisë, tani numri i shërbimeve elektronike ka arritur në 150. Në portal janë mbi 600 shërbime informeuese për procedurat, dokumentacionin dhe vendodhjen e marrësist të shërbimit”, tha zonja Karcanaj.
Dako: Mënyra më e mirë për t’i nxjerrë komunat nga mjerimi i shërbimeve është teknologjia
Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako i pranishëm në këtë aktivitet, tha se me këtë reform të rëndësishme, qytetarët mund të paguajnë dhe taksat vendore, nga shtëpia, dhe ky shërbim do të ofrohet në gjithë qarkun.
“Promovoj sot disa shërbime që qytetarët e Durrësit i përfitojnë nëpërmjet këtij portali unik që do i shërbejë 60 mijë familjeve durrsakë, për të paguar online taksën e ndërtesës, tarifën e gjelbërimit dhe ndriçimit etj. Informatizimi i bashkisë ka sjellë që menaxhimi i bashkisë të jetë më modern. Ne jemi në proces të vazhdueshëm transformimi dhe falë këtij projekti do të japim mundësi qytearëve që të paguajnë faturën në mënyrë elektronike dhe të bëjnë pagesat në bankat e nivelit të dytë. Nëpërmjet teknologjisë kemi mundësi t’i ulim kohën qytetarëve nëpër radha, të rrisim transparencën dhe të ulim në mënyrë të ndjeshjme korrupsionin. Në Sukth gjetëm një shërbim mjerues për qytetarët e këtyre zonave. Në vitin ‘97 morëm një qeverisje të lënë nga piramidat, në 2003 shtet të zhytur në borxhe, sot po marrim disa komuna në gjendje të mjeruar për shërbimin. Instrumenti më i mirë për t’i nxjerrë nga mjerimi është teknologjia, për tu bërë të gjithë banorë të barabartë të Durrësit. Bashkia e Durrësit me qeverinë është duke u implementuar projekti më i madh industrial i vendet, ndërtimi i parkut të madh industrial që do të hapë mijëra vende pune. Ky premtim ka nisur dhe do të bëhet së shpejti realitet”, tha Dako.
Nikolla: Shërbimi i ri ul kohën e përpunimit të diplomave e shton transparencën
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka vlerësuar sistemin e ri telektonik që vihen në dispozicion të MAS, por edhe Universiteve e qytetarëve për të proceduar sa më shpejt me përpunimin e diplomave. Gjithashtu theksoi Nikolla, ky sistem rrit transparencën dhe pamundëson ndërhyrjet miqësore dhe koruptive për t'i kaluar ato jashtë radhe.
"Me këtë sistem duhen njësuar 100 diploma në muaj, ne kemi 2 specialistë Ligji e parashikon 45 ditë. Por ende qytetarët përcjellin shqetësimin për kohën. Portali i kursen kohën 3-4 qytetarëve. Shmang korrupsionin, apo ndërhyrjen e mikut për të kaluar me shpejtësi. Shërbimi elektronik regjistron edhe ditën e ardhjes dhe bën më efiçent gjithë kryerjen nga punonjësit. Pamundësohen ndërhyrjet miqësore apo korruptive që një diplomë të kalojë jashtë radhe. Gjithçka kryhet në mënyrë elektronike. Nëse do të shtojmë rastin kur dokumentacioni ka ardhur i paplotë dhe duhet të humbësh sërish ditë të tëra. Propozimi i qeverisë shqiptare redukton kohën e përftimit të këtij shërbimi dhe ofron siguri të lartë dhe ofron ruajte të sigurisë. Qytetari përfiton MAS mundëson një bazë të dhënash reale. Për të tre nivele te diplomave. Sigurojmë qytetarët që kjo rrit përgjegjësinë tonë."- tha ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
(Në Foto Ministra e Arsmit dhe Sportit, Lindita Nikolla)
Drejtoresha e QKR, Vjero: Regjistrimi online, u krijon lehtësira bizneseve
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit theksoi se futja e sistemit online për regjistrimin e bizneseve u krijon lehtësira pronarëve apo administratorëve të tyre, por edhe garanton një shërbim pa ndërprerje dhe transparent.
“QKR institucioni i vetëm për regjistrimin e bizneseve, Verifikojmë bazën e të dhënave. Regjistrimi online. U krijohet lehtësi pronarëve apo administratorëve të bizneseve. Regjistrimi garanton aplikime të sigurta. Ofrojmë shërbime më të shpejta dhe pa ndërprerje. Do të ketë transparencë. Falënderojmë Ahmetajn dhe Hariton të cilët na kanë ndihmuar dhe na kanë mbështetur.” – tha drejtoresha e QKR, Vasilika Vjero.
(Në Foto drejtoresha e QKR Vasilika Vjero)
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)