E ardhmja e Ballkanit, do vendoset nga përplasja midis idealistëve

E ardhmja e Ballkanit, do vendoset nga përplasja midis idealistëve

Ballkani Perëndimor

Në Perëndim është duke u zhvilluar një garë ideologjike mbi të ardhmen e Ballkanit. Nga njëra anë qëndrojnë idealistët liberalë. Ata e shohin rajonin si një vend ku duhet ndjekur dhe mbrojtur besimi tek drejtësia ndërkombëtare, dhe vizioni i tyre për një rend botëror post-kombëtar.

Në anën tjetër janë realistët konservatorë. Ata mbështesin shtetin kombëtar, dhe janë skeptikë ndaj përpjekjeve për të eksportuar vlerat perëndimore. Fati i Ballkanit do të varet pikërisht nga botëkuptimi që do të mbizotërojë në fund. Origjina e këtij debati, daton që nga koha e shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe debatit se si të menaxhohej dhuna që pasoi.

Shteti jugosllav ishte i përbërë nga 10 grupime kombëtare, që bashkëjetonin pa shqetësime në gjashtë 6 republika federale dhe 2 krahina autonome, kufijtë e të cilëve korrespondonin vetëm pjesërisht me gjeografinë komplekse etnike të vendit.

Pas fundit të Luftës së Ftohtë, boshnjakët, maqedonasit dhe të tjerët, u ngritën për pavarësinë e republikave të tyre, dhe shqiptarët e Kosovës për pavarësinë nga Serbia. Ndërkohë, serbët dhe kroatët u angazhuan për krijimin e shtetet kombëtare që përbëjnë shtetin amë, duke përfshirë edhe pjesë të republikave fqinje.

Nga mesi i vitit 1991, rajoni ishte zhytur në luftë. Në fillim, pozicioni i Perëndimit ishte i dykuptimtë. Idealistët mbështetën një zgjidhje multietnike në rajon, dhe bënë thirrje për pavarësinë e republikave federale brenda kufijve të tyre ekzistues, e justifikuar kjo me referencat ndaj normave ndërkombëtare, përfshirë integritetin territorial të shteteve.

Ndërkaq, realistët në Uashington, Londër dhe kryeqytetet e tjera përmendën “urrejtjet e lashta etnike” dhe e njohën nevojën për kufij të rinj, për të kënaqur aspiratat e serbëve dhe kroatëve. Të dyja palët pretenduan se qasja e tyre, ishte çelësi për stabilitetin rajonal, dhe hodhën poshtë si marrëzi qasjen e palës tjetër.

Ajo qasje e dyfishtë, u shoqërua me një mungesë të përgjithshme interesi për Ballkanin, dhe me një ngurrim për të zbatuar pozicionet në terren. Në vitin 1995, dominoi vizioni idealist kur SHBA-ja ndërhyri ushtarakisht në Bosnjë. Synimi i saj kryesor ishte përfundimi i luftës, por duke vepruar në atë mënyrë, Uashingtoni fitoi të drejtën për të përcaktuar natyrën e paqes, dhe këmbënguli në ruajtjen e Bosnjës si një shtet i pavarur.

Administrata Clinton, refuzoi të pranonte idenë se kufijtë mund të ndryshoheshin me anë të spastrimit etnik. Evropianët, të frymëzuar nga një vizion i një bote trans-nacionale të mishëruar në Bashkimin e ri Evropian, ranë në përgjithësi dakord me atë qasje.

Serbët dhe kroatët, u detyruan të pranonin autonominë në formën e një Bosnje të unifikuar.

Më pas fuqitë perëndimore e zbatuan këtë vizion idealist në pjesën tjetër të Ballkanit. Në vitin 2001, ata shtypën një përpjekje të shqiptarëve për t’u shkëputur nga Maqedonia, duke iu garantuar në vend të saj të drejta të reja, të cilat pasqyronin vizionin e Perëndimit për vendin si një shtet qytetar dhe multietnik.

Në mënyrë të ngjashme, ata i rezistuan përpjekjeve të Podgoricës për t’u shkëputur nga ajo çka kishte mbetur nga Jugosllavia, duke çuar në vitin 2003 në shtetin jetëshkurtër Serbi-Mali i Zi. Kundër-hapi ishte vendimi i Perëndimit për ta njohur Kosovën si një shtet të pavarur në vitin 2008.

Kur aktorët vendas i rezistuan vizionit perëndimor, SHBA-ja dhe Evropa ndërmorën hapa për ta mbështetur atë. Nga mesi i viteve 2000, Perëndimi u mbështet më shumë tek joshja e vendeve të rajonit me anëtarësimin në BE. Në këmbim të braktisjes së nacionalizmit, shqiptarëve, kroatëve dhe serbëve iu ofrua perspektiva e demokracisë, të drejtave, prosperitetit dhe shansi për ribashkim kombëtar brenda një njësie më të madhe, pa kufij të brendshëm.

Pas një dekade në të cilën idealistët kishin diktuar politikën ndaj Ballkanit, në skenë dolën realistët, pasi zgjidhja multietnike nxori në pah kufizimet e saj. Në Bosnjë, serbët dhe kroatët vazhduan të kërkojnë një formë të ndarjes nga boshnjakët. Shqiptarët mbetën të pakënaqur  me vendin e tyre në Maqedoni, dhe në Luginën e Preshevës në jug të Serbisë.

Serbët në Kosovë, këmbëngulën në pavarësinë e tyre nga Prishtina. Ndërkohë, Serbia, e cila mbeti e lidhur me idenë e shtetësisë kombëtare, këmbënguli në kompensimin territorial për njohjen e Kosovës, duke e mbajtur këtë të fundit në një gjendje të harresës ligjore dhe politike.

Në kushtet e konfliktit të ngrirë, rajoni nuk arriti të zhvillohej. Politika mbeti e dominuar nga çështjet parësore të shtetit, territorit dhe identitetit, në kurriz të problemeve të “dorës së dytë” si qeverisja ose ekonomia. Marrja e vendimeve jashtë vijave etnike, rezultoi e ndërlikuar, dhe në rastin e Bosnjës, e pamundur.

Demokracia u mbyt nga nevoja për një udhëheqje të fortë, nga ata që u zotuan të mbrojnë interesat kombëtare. Korrupsioni dhe kriminaliteti mbetën në nivele të larta, dhe rajoni nuk pati një ecuri të mirë ekonomike. Një numër i madh njerëzish nga i gjithë rajoni, emigruan diku tjetër për mundësi më të mira.

Integrimi evropian, “ilaçi” afatgjatë i Perëndimit, rezultoi të ishte një iluzion për qytetarët e rajonit. Ndërkohë shumë udhëheqës shfrytëzuan një sërë krizash në BE për ta “ndalur” procesin e integrimit. Në vitin 2014, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i dha fund zgjerimit të unionit gjatë mandatit të tij.

Serbia dhe Bosnja, refuzuan që t’i bashkohen NATO-s, pjesërisht për të kënaqur Rusinë, e cila shfrytëzoi problemet e pazgjidhura të rajonit për të fituar ndikim në rajon. Në mesin e pasigurisë dhe rrezikut të rikthimit të destabilitetit, SHBA-ja dhe Evropa u detyruan të mbanin një prani ushtarake në Bosnjë dhe Kosovë.

Në SHBA, mendimtarët realistë bënë thirrje për rregullimin e kufijve. Ish-ambasadori në Kroaci, William Montgomery, mbështeti “shpërbërjen paqësore” të Bosnjës. Kryetar i Nënkomitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës për Evropën, Dana Rohrabacher, e cilësoi Maqedoninë si një shtet artificial, dhe bëri thirrje që zonat me shumicë shqiptare t’i bashkohen Kosovës.

Gjithsesi në nivele politike, Perëndimi e ruajti qasjen e tij idealiste ndaj Ballkanit, edhe pse me më pak besim se më parë. Diplomatët amerikanë refuzuan kërkesat për bashkim nga shqiptarët dhe pavarësi nga serbët e Bosnjës. Situata ndryshoi në vitin 2017, kur pas zgjedhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, drejtimin e politikave e morë realistët.

Për Trump, Ballkani ishte një rajon i paqëndrueshëm, i mbushur me “njerëz të fortë dhe shumë agresivë”, dhe një problem që duhej të zgjidhej nga vetë Evropa. Interesi i tij i vetëm, ishte gjetja e një zgjidhjeje të përhershme për Kosovën, që ta lejonte atë të kthente trupat amerikane në shtëpi.

Në vitin 2018, administrata Trump e zbuloi natyrën e kësaj zgjidhjeje, kur ra dakord për një rishikim të kufirit midis Serbisë dhe Kosovës. SHBA kishte nevojë për Beogradin për të njohur pavarësinë e Kosovës, ndaj i njohu Serbisë të drejtën për të kërkuar diçka në këmbim. Në Evropë, ku politika po lëvizte në një drejtim më konservator, kjo nismë u pranua gjerësisht. Kancelari austriak Sebastian Kurz u zotua të mbështeste çdo gjë që mund të sillte paqe. Franca ishte “pozitive” mbi këtë ide, dhe shumica e vendeve të tjera u pajtuan në heshtje.

Edhe Komisioni Evropian, bastioni i internacionalizmit liberal, e mbështeti atë. Zyrtarët pranuan:”Kjo nuk është një botë ideale; dhe ky është Ballkani!”. Por më pas erdhi pandemia, dhe të gjithë u tërhoqën nga çështja e kufijve në Ballkan. Pastaj Trump humbi zgjedhjet.

Më pas nisma kaloi tek evropianët dhe veçanërisht Sllovenia, e cila nën kryeministrin e saj konservator, Janez Jansa, propozoi në fillim të këtij viti idenë e një riorganizimi më të përgjithshëm të kufijve të Ballkanit. Ai u prit në përgjithësi me entuziazëm, dhe pak kundërshtime në rajon dhe Evropë.

A do të thotë kjo se Perëndimi synon rishikimin e kufijve Ballkanit sipas linjave etnike? Përgjigja e shkurtër është jo, të paktën jo nën konfigurimin aktual të forcave politike. Gjithsesi kundërshtarët e kësaj qasjeje, do të vazhdojnë të mbrojnë një zgjidhje realiste, që përfshin një riorganizim të kufijve në rajon./ TIMOTHY LESS, “Engelsberg Ideas”/Bota.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Terrorizëm antisemitik