"Strategjia më e zgjuar dhe afatgjatë do të ishte krijimi i sinergjisë mes vendeve tona për të hartuar një “platformë të unifikuar të investimeve strategjike”, ku i gjithë rajoni të shikohej si një i vetëm për biznesin e korporatave multinacionale apo për projektet madhore me impakt rajonal. Projekti TAP, padyshim është një histori suksesi për të gjithë vendet e përfshira në të. Nga ana tjetër, në kontekstin e bashkëpunimit rajonal mbetet e domosdoshme të përmirësojmë strategjitë tona kombëtare për t’i dhënë rëndësinë e duhur:
Përfundimit në kohë të projekteve kryesore infrastrukturore rajonale duke përmirësuar interkonektivitetin për të rritur aksesin në tregje dhe ulur kostot e transportit. Krijimit të një tregu të përbashkët rajonal në sektorin energjitik duke ndihmuar në konsolidimin e këtij sektori, diversifikimin e burimeve të tij dhe duke garantuar dhe përforcuar sigurinë energjitike të rajonit. Hartimit sa më parë të “një pakete të përbashkët” projektesh strategjike për të gjithë rajonin.