Vendim: Për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 110 kV Kukës (Shqipëri)-Prizren (Kosovë). Përfitimet kryesore që do t’i vijnë të dyja vendeve nga ndërtimi i kësaj linje janë: Rritja e sigurisë së sistemit shqiptar dhe kosovar. Kjo ndikon në një fare mase edhe në sigurinë e sistemit rajonal të interkonjeksionit.
Realizimi i një uljeje të kostove të operimit të sistemeve të dy vendeve, si rrjedhojë e operimit e bashkërendimit të përbashkët nëpërmjet kësaj linje. Kjo linjë ndihmon në optimizimin afatshkurtër dhe afatmesëm të burimeve hidrologjike dhe termale, përkatësisht, të Shqipërisë dhe Kosovës.
Shpjegimi: Linja e interkoneksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qënë burim debatesh kur qeveria e drejtuar nga Berisha anuloi marrëveshjen me kroatët që kishin dhe financim të bankës gjermane kFË, duke ia dhënë një firme boshnjake, me shumë akuza se kishin interesa Fazlliç miku i Berishës dhe familja e tij. Kjo solli furtunë debatesh, e akuza ndaj Berishës se po favorizon biznesin serb të energjisë, pasi mbante të lidhur pas sistemit energjetik serb Kosovën. Me këtë vendim, kreu i qeverisë Edi Rama rikthen interkoneksionin me Kosovën që e kishte hequr Berisha nga të gjitha projektet, duyke kryert përpos të tjerave dhe një akt kombëtar në funksion të një sistemi energjetik të unifikuar.
Vendim: Për krijimin e Komisionit Ndërinstitucional për bashkërendimin e punës në zbatimin e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP). Vendimi ka për qëllim krijimin e Komisionit Ndërinstitucional për projektin TAP për mbështetjen dhe bashkërendimin e punës në nivel institucional në zbatimin e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP).
Shpjegimi: Dhe qeverisja e mëparshme ka qënë pro projektit TAP, ndërsa qeveria Rama, pas nënshkrimit të marrëveshjes për këtë projekt në Baku të Azerbajxhanit, tashmë krijon dhe komitetin ndërinstitucional për të qënë përgjegjës për mbarëvatjen.
Vendim: Për miratimin, nëparim, të marrëveshjes së grantit nr.TF013194, të Fondit Global të Mjedisit (GEF), ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit “Raportimi për konventat, harmonizimi i Planit Kombëtar të Veprimit për të luftuar shkretëtirëzimin në Shqipëri e përgatitjen e raportit kombëtar”. Ky vendim synon miratimin e marrëveshjes së grantit, për harmonizimin e Planit të Veprimit Kombëtar për të luftuar shkretëtirëzimin e tokës në Shqipëri dhe përgatitjen e raportit kombëtar për Konventën e Kombeve të Bashkuara për Luftën Kundër Shkretëtirëzimit(UNCCD), nëpërmjet një granti prej 150000 USD.
Shpjegimi: Paratë për mjedisin gjithnjë nuk kanë munguar, por tashmë këto fonde synohet që të përdoren me efikasitet në mbrojtje të tokës nga varfërimi dhe shkretëtirizimi.
Vendim: Për miratimin, në parim, të marrëveshjes për përfundimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet ministrive të mbrojtjes të Traktatit të NATO-s e Shtabit Suprem të Fuqive Aleate të Evropës (SHAPE), për krijimin dhe mbështetjen e qendrave të operacioneve të kombinuara ajrore (CAOCs) në Komandën Aleate të Evropës. Vendimi synon miratimin, në parim, të marrëveshjes për përfundimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet ministrive të mbrojtjes të Traktatit të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate të Evropës (SHAPE), për krijimin dhe mbështetjen e qendrave të operacioneve të kombinuara ajrore (CAOCs) në Komandën Aleate të Evropës, duke shtyrë kohëzgjatjen e këtij memorandum deri më 30 qershor 2014.
Shpjegimi: Shqipëria që me nënshkrimin e partneritetit për paqe dhe me anëtarësimin në NATO ka qënë gjithnjë pjesë e operacioneve të Aleancës në të gjithë globin. Tashmë arrihet dhe marrëveshje për krijimin e qendrave operacionale ajrore.
Projektligj: Për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësohet nga Ministria e Financave, dhe Uni Credit Bank Austria AG, për financimin e projektit mbarëkombëtar të radioterapisë. Ky projektligj ka për qëllim ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për eksport, për financimin e projektit mbarëkombëtar të radioterapisë në shumën 2 000 000 euro, akorduar nga qeveria austriake, nëpërmjet UniCredit Bank Austria AG.
Shpjegim: Investimet në sektorin e shëndetësisë dhe kryesisht për projekte kombëtare, do zbarkojnë në Shqipëri përmes bankave dhe ministrisë së Financave, duke sjellë dhe eliminimin e problemeve në këtë sektor dhe dorëzimit te privatët.
Projektligj: Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit “Projekti pilot për krijimin dhe eksperimentimin e një sistemi sigurimesh të lehtësuara për mbulimin e rreziqeve në bujqësi”. Programi ka si qëllim të ndihmojë në stabilizimin e të ardhurave të popullsisë shqiptare që merret me bujqësi e synon krijimin e eksperimentimin në nivel kombëtar të një sistemi sigurimesh të lehtësuara kundër rreziqeve të fatkeqësive natyrore, duke marrë si sektor pilot atë të vreshtarisë. Kredi ndihme prej 2 milionë eurosh.
Shpjegimi: Qeveria për herë të parë kthen sytë nga fshati për të garantuar sigurime të lehtësuara në rast fatkeqësish natyrore. Për këtë shërben dhe programi me Italinë prej 2 milionë euro.
Projektligj: Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për programin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullishtarisë shqiptare (ZHQSV)”. Qëllimi i programit është përmirësimi i sigurisë ushqimore kombëtare, i kushteve social-ekonomike të familjeve rurale shqiptare e zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë shqiptare, duke pasur si objektiv të veçantë përmirësimin e sektorit të ullishtarisë e prodhimit të vajit. Programi do të mbështetë harmonizimin e legjislacionit shqiptar për kultivimin e ullirit dhe prodhimin e vajit me standardet legjislative të BE. Kredi ndihme prej 3 milionë euro.
Shpjegimi: Qeveria Berisha kishte një projekt për ullishtizimin e Shqipërisë, por që nuk u hodhën financime. Qeveria Rama bashkë me qeverinë italiane do financojnë përmirësimin dhe stabilizimin e kulturës së ullirit dhe përpunimin e tij me vlerë 3 milionë euro.
Projektligj: Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë e qeverisë së Republikës së Italisë, për programin “Fuqizimi i Agjencisë Shqiptare të Pagesave (AZHBR) për lëvrimin e kontributeve në bujqësi”. Pogrami ka për qëllim të sigurojë pajisjen e AZHBR me sistemin e integruar të menaxhimit dhe të kontrollit (IACS), i kërkuar nga BE si instrument i detyrueshëm për administrimin e rregullt të kontributeve financiare që jepen në sektorin bujqësor të parashikuara nga kuadri rregullues komunitar. Kredi ndihme prej 2 milionë eurosh.
Shpjegimi: Deri më tani bujqësia ka qënë jashtë fokusit të plotë tëe qeverisë, ndërkohë që qeveria e majtë, po tenton ta vendosë atë nën dominimin e rregullit. Për këtë jepen 2 milionë euro.
Mimi Kodheli në Rinas
Dje në mjediset e Komandës së Forcave Ajrore në Rinas u zhvillua ceremonia e mbërritjes së helikopterit “COUGAR”. Ai është i treti që i bashkohet FA. Ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, ambasadorja franceze Christine Moro etj.
Alfred Dalipi Zv.ministër
Dhe këshilli i Ministrave ka vendosur emërimin e ish-deputetit të PS Alfred Dalipi në detyrën e zëvendësministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit. Si një nga deputetët më aktivë të Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën e kaluar, Dalipi nuk arriti që të futej në Kuvend pas garës në kryeqytet.
Shkrimi u publikua sot (19.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)