Zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit, Karen Donfried, e cila mbërriti mbrëmjen e djeshme në Shqipëri në kuadër të një turi që po zhvillon në Ballkan, ka zhvilluar sot takime me krerët e politikës shqiptare.

Donfried zhvilloi një takim me dyer të mbyllura me kryeministrin Edi Rama. Takimi nisi në orën 08:50 në kryeministri, ndërsa zgjati më shumë se një orë. Në takim ishin të pranishëm edhe Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor dhe ambasadorja Yuri Kim. 

Kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje nga takimi, ku tha se u diskutua për ecurinë e reformave, forcimin e drejtësisë, investimet në energji, veton bullgare ndaj Maqedonisë, por një fokus të rëndësishëm sipas Ramës ka marrë edhe mbështetja që SHBA-të i japin nismën Ballkani i Hapur.

Pas takimit me Ramën, Donfried është pritur në Kryesinë e Kuvendit nga Enkelejd Alibeajn të cilin Shtetet e Bashkuara e njohin si kryetar të Partisë Demokratike, si dhe Gazment Bardhi e Jorida Tabaku, deputetë të PD-së që nuk janë pjesë e Rithemelimit. Aliebaj në një prononcim për mediat pas takimit të tij me Donfried, tha se SHBA kërkon një opozitë të fortë, pro amerikane dhe që sheh nga e ardhmja, një ripërsëritje kjo e qartë e qëndrimit amerikan kundër Berishës. 

Për vizitën e zyrtarëve të lartë amerikan ka dhënë detaje edhe ambasada e SHBA-së në vendin tonë, e cila thekson se do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit.

“Nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, shkruan ambasada.

Ditën e djeshme, Donfried zhvilloi një takim me Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi që mbërriti po dje në një vizitë në Shqipëri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:00
Takimi me zyrtaren e lartë të DASH, reagon Bardhi: Folëm për masakrën zgjedhore e korrupsionin

1651226117_1651222163alibeajkim1.jpeg

Me anë të një postimi në tëitter Gazment Bardhi ka zbardhur takimin me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Karen Donfried. Sipas Bardhit, ato kanë ngritur shqetësimet që lidhen me korrupsionin e kudogjendur në Shqipëri dhe masakrën zgjedhore të konfirmuar sëfundmi nga SHBA.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

Kënaqësi të takonim sot NdihmësSekretaren Amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, znj. Karen Donfried. Shprehem qëndrimin tonë për sfidat e opozitës, konkluzionet e raportit të DASH për korrupsionin e kudogjendur në Shqipëri dhe masakrën zgjedhore të konfirmuar së fundmi nga SHBA, rolin e PD në procesin e integrimit europian dhe sfidat e Shqipërisë në Rajon. Një falenderim të sinqertë për rolin e SHBA dhe mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë.

Ora 16:21
Zyrtarja e DASH në Shqipëri, Kim: Shumë punë për të bërë, por do kemi sukses nëse e bëjmë së bashku

Ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim ka reaguar pas vizitës së të dërguarës së DASH në vendin tonë, Donfried.

"E mrekullueshme për të pasur tw dwrguarwn e DASH, Donfried këtu për të takuar liderët e Shqipwrisw,  për të forcuar demokracinë, mbrojtjen dhe lidhjet e biznesit; integrimi evropian; siguria energjetike; bashkëpunim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër  pushtimit të Ukrainws. Shumë punë për të bërë, por do të kemi sukses nëse e bëjmë së bashku!

Ora 14:42
Zyrtarët e lartë të DASH në Tiranë, ambasada jep detajet: SHBA do të vijojnë luftën kundër korrupsionit

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një postimi në Facebook, ka dhënë detajet në lidhje me takimet që zhvilluan në Tiranë dihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

“Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata”, shkruan ambasada.

Ora 12:01
Rama: Donfried, konsiderata mbresëlënëse për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit

 

Kryeministri Rama përmes një postimi në Facebook ka dhënë detaje pas takimit me Ndihmës/Sekretaren Amerikane të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Karen Donfried.

“Diskutuam gjerësisht për ecurinë pozitive të reformave, forcimin e drejtësisë, investimet strategjike në energji, veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, situatën në rajon, si edhe për mbështetjen e plotë që Shtetet e Bashkuara i japin Ballkanit të Hapur. Konsideratat e Ndihmës/Sekretares për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe në rajonin tonë ishin mbresëlënëse”, ka shkruar Rama. 

Postimi i Ramës

Ora 11:51
Alibeaj pas takimit me zyrtaren e DASH: SHBA kërkon një opozitë të fortë, pro amerikane dhe që sheh nga e ardhmja

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Aliebaj në një prononcim për mediat pas takimit të tij me Donfried, tha se SHBA kërkon një opozitë të fortë, pro amerikane dhe që sheh nga e ardhmja.

“Pata kënaqësinë që të prisja zyrtaren e DASH. Diskutuam dhe folën për çështje të rëndësishme që Shqipëria është duke përballur. Çështje që lidhen me zgjedhjet, krimin e organizuar, shtetin e së drejtës. Po kështu edhe çështje të rëndësishme si ajo e luftës kundër korrupsionit. Nuk mund të lija pa diskutuar marrëdhënien që PD ka pasur me SHBA. Me kënaqësi vura re dhe pashë mbështetjen që SHBA kanë me PD. Mora mbështetjen e zonjës dhe të DASH për mbështetjen e një opozitë të fortë dhe të qëndrueshëm, një opozite pro amerikane që sheh nga e ardhmja. Sfidat prekin të gjithë Shqipërinë. Ky është preokupimi i PD.”, tha Aliebeaj.

Ora 10:27
Pas takimit me Ramën, e dërguara e DASH takohet me Alibeajn në Kryesinë e Kuvendit, pritet në hyrje nga Jorida Tabaku

 

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, zyrtarja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit,  Karen Donfried, ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit për tu takuar me Enkelejd Alibeajn, të cilin Shtetet e Bashkuara e njohin si kryetar të Partisë Demokratike.

Donfried ishte e shoqëruar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, të cilat u pritën në hyrje nga Jorida Tabaku. Në mbledhje do të marrin pjesë edhe deputetë të tjerë demokratë, të cilët nuk janë pjesë e Rithemelimit.