Për kancelarin gjerman Friedrich Merz, muajt e ardhshëm mund të jenë vendimtarë jo vetëm për qeverinë e tij, por edhe për vetë të ardhmen politike të Gjermanisë.

Merz dhe drejtuesit e koalicionit të tij qeverisës kanë vendosur si objektiv arritjen e marrëveshjeve për një seri reformash të mëdha dhe të vonuara prej vitesh, që prekin sistemin tatimor, pensionet, kujdesin afatgjatë për të moshuarit dhe sektorë të tjerë kyç të ekonomisë.

Afati i vendosur nga vetë qeveria është vera e këtij viti. Synimi është të tregohet se koalicioni mes konservatorëve dhe socialdemokratëve mund të funksionojë dhe të marrë vendime të vështira para zgjedhjeve që do të zhvillohen në shtator në dy lande të ish-Gjermanisë Lindore.

Këto zgjedhje kanë marrë një rëndësi të veçantë sepse në të dyja rastet partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) kryeson bindshëm në sondazhe.

Gjermani, këto votime po shihen jo vetëm si një test për qeverinë aktuale, por edhe si një provë për qëndrueshmërinë e demokracisë gjermane 36 vite pas ribashkimit të vendit.

Sipas Merz, deri në momentin kur qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit në shtator, qeveria duhet të ketë treguar se është në gjendje të rikthejë rritjen ekonomike dhe besimin e qytetarëve te politika tradicionale.

“Koha po mbaron, gjatë këtij mandati duam të rinovojmë themelet e vendit tonë në mënyrë që ato të qëndrojnë të forta për shumë vite" deklaroi Merz të enjten në Bundestag.

Gjatë një fjalimi para anëtarëve të CDU-së në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, një nga landet ku do të zhvillohen zgjedhjet, Merz tha se besimi i qytetarëve nuk mund të rikthehet me premtime të mëdha apo me atë që ai e quajti një “Big Bang” politik.

Sipas tij, vetëm puna e vazhdueshme dhe reformat që përmirësojnë gradualisht jetën e njerëzve mund të ndryshojnë situatën.

Ai paralajmëroi se nëse qeveria dështon të bëjë punën e saj, atëherë “Big Bang-u” i vërtetë mund të jetë fitorja e AfD-së në zgjedhjet e shtatorit.

“Në lojë nuk është vetëm e ardhmja e një qeverie. Pyetja është nëse qendra politike e vendit tonë ka ende forcën, vullnetin dhe aftësinë për të zgjidhur problemet me të cilat përballemi sot”, tha ai.

Problemi për Merz është se po përpiqet të realizojë reforma të thella në një moment kur popullariteti i tij dhe i qeverisë është në nivele të ulëta. AfD jo vetëm që kryeson sondazhet në shumë zona të Gjermanisë Lindore, por po fiton terren edhe në nivel kombëtar.

Kjo e vendos qeverinë në një pozicion historikisht të dobët pikërisht në kohën kur po përpiqet të kalojë disa nga reformat më të mëdha të dekadave të fundit. Sipas analistëve, faktori kryesor që po mban ende të bashkuar koalicionin mes konservatorëve dhe socialdemokratëve është frika nga alternativa.

Një rrëzim i qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme mund t’i hapnin rrugë një rezultati edhe më të keq për partitë tradicionale, përfshirë mundësinë e një fitoreje të AfD-së në nivel federal.

Kjo po shton presionin mbi Merz dhe partnerët e tij që të japin rezultate sa më shpejt. Situata bëhet edhe më e vështirë për shkak të shqetësimeve ekonomike në rritje.

Sipas sondazhit DeutschlandTrend, ankthi ekonomik i gjermanëve është në nivelin më të lartë që nga periudha e krizës financiare globale të vitit 2008.

Rritja e çmimeve të energjisë dhe përshpejtimi i procesit të deindustrializimit po ushqejnë pasigurinë e qytetarëve për të ardhmen. Shumë do të varet nga aftësia e koalicionit për të arritur marrëveshje konkrete gjatë javëve të ardhshme.

Por edhe nëse këto marrëveshje arrihen, mbetet pyetja nëse ato do të jenë të mjaftueshme për të rikthyer optimizmin te votuesit. Një tjetër problem për Merz është se ai ka krijuar pritshmëri shumë të larta.

Qeveria ka premtuar marrëveshje për uljen e taksave për shtresën e mesme dhe të ulët, reformimin e pensioneve dhe stabilizimin e sistemit të kujdesit afatgjatë, i cili po përballet me presione gjithnjë e më të mëdha për shkak të plakjes së popullsisë.

Në fakt, Merz kishte premtuar reforma të ngjashme edhe vitin e kaluar në atë që konservatorët e quanin “vjeshta e reformave”. Megjithatë, shumica e atyre planeve nuk u realizuan.

Deri tani, arritja më e rëndësishme e koalicionit ka qenë marrëveshja e prillit për uljen e kostove në sistemin e sigurimeve shëndetësore, pjesërisht përmes kufizimit të disa përfitimeve.

Fillimisht qeveria kishte premtuar rezultate konkrete deri më 10 korrik, kur Bundestagu do të ndërpresë punimet për pushimet verore. Por ditët e fundit vetë Merz dhe drejtues të tjerë të koalicionit kanë nisur të tërhiqen nga ky afat, duke pranuar se procesi mund të zgjasë me muaj. Kryetari socialdemokrat i Bremenit, Andreas Bovenschulte, e vuri në dyshim mundësinë që të gjitha këto reforma të realizohen njëkohësisht.

“Reforma tatimore, reforma e shëndetësisë, pensionet, tregu i punës, energjia. Për ta thënë butë, duket paksa e tepërt të realizohen të gjitha para verës”, tha ai për revistën Spiegel.

Përveç vështirësive teknike, shumë nga reformat janë politikisht të rrezikshme. Për ta bërë sistemin e pensioneve më të qëndrueshëm, ekspertët pritet të propozojnë rritjen e moshës së daljes në pension dhe kufizimin e disa përfitimeve, masa që mund të shkaktojnë pakënaqësi të madhe te votuesit.

Deri tani qeveria ka shmangur përplasjet publike për temat më të ndjeshme duke ua kaluar propozimet komisioneve të ekspertëve. Por rekomandimet e para priten brenda këtij muaji dhe ato mund të nxjerrin në pah dallimet e thella mes socialdemokratëve dhe konservatorëve.

Socialdemokratët mbështesin ruajtjen e garancive shtetërore për pensionet, ndërsa konservatorët favorizojnë zgjerimin e pensioneve private të lidhura me investimet në tregjet financiare.

Megjithatë, drejtuesit e SPD-së këmbëngulin se kompromiset janë të domosdoshme. “Qeverisja e mirë krijon besim”, tha deputeti socialdemokrat Sebastian Roloff.

Sipas tij, nëse qytetarët shohin se politikanët po punojnë seriozisht për reforma dhe më pas ndjejnë efektet pozitive të tyre, do të bëhet më e vështirë që forcat radikale të diskreditojnë sistemin politik.

Për të zbutur pakënaqësinë e votuesve, qeveria po diskuton edhe ulje taksash. Ministrja e Punës, Barbel Bas, deklaroi fundjavën e kaluar se lehtësimet fiskale duhet të jenë të paktën 500 euro për çdo punonjës, në mënyrë që qytetarët të ndiejnë realisht ndryshimin në xhepin e tyre.

Por mbetet e paqartë nëse kjo do të mjaftojë për të bindur qytetarët. Sondazhet tregojnë se 87 përqind e gjermanëve janë të pakënaqur me qeverinë aktuale.

Ndërkohë, AfD po e shfrytëzon situatën për të sulmuar qeverinë. Partia e ekstremit të djathtë kundërshton sakrificat që qytetarëve mund t’u kërkohen për të shpëtuar sistemin e pensioneve dhe atë të kujdesit afatgjatë.

Bashkëdrejtuesja e AfD-së, Alice Weidel, akuzoi qeverinë se po u kërkon gjermanëve të paguajnë më shumë dhe të punojnë më gjatë, ndërsa sipas saj vazhdon të financojë emigrantët.

Gjatë një debati në Bundestag, Weidel tha se kjo mjafton për të kuptuar prioritetet e qeverisë. Përballë këtij pesimizmi në rritje, Merz po përpiqet të japë një mesazh optimist.

Madje, gjatë fjalimit të tij në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, ai përdori një slogan të famshëm të ish-kancelares Angela Merkel.

“Wir schaffen das” – “Ne mund t’ia dalim”, deklaroi ai. Ishte një moment që habiti shumë vëzhgues politikë.

Merkel e përdori këtë shprehje gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015 për të mbrojtur pranimin e qindra mijëra azilkërkuesve. Merz, përkundrazi, ka qenë një nga kritikët më të fortë të asaj politike dhe e ka fajësuar shpesh qasjen e Merkelit për rritjen e AfD-së.

Megjithatë, ndërsa partia e ekstremit të djathtë vazhdon të fitojë terren, kancelari duket se po kërkon një dozë të re optimizmi.

“Ne gjermanët duhet të heqim dorë nga refleksi ynë i zakonshëm për ta nënvlerësuar vazhdimisht veten. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për këtë projekt që quhet Gjermani,  tha Merz.