Alessandra Freda është dietologia që prokuroria e Padovës po heton si të dyshuar për vdekjen e biznesmenit italian në Tiranë, Massimo Ferro. Bashkë me të, edhe kiurgu italian Andrea Formiga është i dyshuar.

Sipas pretendimeve të avokatëve, për ndërhyrjen e ngushtimit të stomakut që Ferro kreu në spitalin privat Trita Hospital, nuk u ndoq asnjë udhëzim shëndetësor sipas praktikave italiane apo ndërkombëtare. Trita Hospital operon edhe klinikën estetike DermoLife.

Ferro ishte 108 kilogramë dhe vuante nga diabeti i tipit 2, por nuk mori asnjë trajtim dietik paraprak, përveç këshillës që të mos hante asgjë para operacionit.

Por çfarë e lidh dietologen Freda me mjekun kirurg? Formiga ka themeluar në vitin 2018 C.I.B.O. Milano, një qendër interdisiplinore për obezitetin, të cilën edhe e drejton. Freda punon si dietologe pranë kësaj qendre ku rekomandon dieta të personalizuara.

“E diplomuar me nderime në Dietetikë në Universitetin e Studimeve të Milanos në vitin 2011, ajo është dietiste në Qendrën Ndërdisiplinore për Bariatrinë dhe Obezitetin (C.I.B.O.) në Milano.

Ka qenë përgjegjëse e Shërbimit të Ushqyerjes Klinike dhe Dietetikës në spitalin Sacra Famiglia Fatebenefratelli në Erba (CO). Brenda Grupit Spitalor San Donato, ka kryer aktivitet konsulence në Institutit Klinik Zuçhi në Carate Brianza, në Njësitë Operative të Rehabilitimit të Specializuar Neurologjik, Rehabilitimit të Specializuar Ortopedik dhe Rehabilitimit Psikiatrik (C.R.A dhe C.R.T.).

Merret me mbipeshën, obezitetin dhe çrregullime të të ushqyerit, duke ofruar konsulenca ushqimore dhe plane dietetike të personalizuara për të rritur dhe fëmijë. Si lektore universitare, ajo është autore e shumë publikimeve dhe folëse në kongrese”, thuhet në jetëshkrimin e saj të publikuar në faqen zyrtare të qendrës.

Ajo që bie në sy është se në faqen zyrtare të qendrës interdisiplinare, Freda rekomandon kryesisht dietën ketogjenike pasi nuk shihet opsion tjetër veç saj, balonin gastrik dhe ngushtimin e stomakut që kryen nga mjeku Formiga. Këto dy të fundit ofrohen “kur dieta nuk mjafton.”

Edhe në videot e shpërndara prej saj në rrjetet sociale, shihet mjeku Formiga, por edhe vetë Freda duke folur për humbjen e peshës përmes dy metodave që nuk lidhen me regjimin ushqimor. Kjo është e ndryshme nga ç’do të pritej prej një dietologeje që fokusin e ka tek rregullimi i peshës përmes të ushqyerit.

E gjithë kjo paketohet edhe përmes faqes zyrtare të vetë dietologes Freda: alessandrafreda.it ka në faqen kryesore një foto të sajën dhe përshkrimin: “Një rrugëtim ushqimor i personalizuar për ju: ndryshime të vogla, rezultate të mëdha”, disa metoda kontakti dhe disa shërbime që ajo ofron.


Lajmi kryesor:

Sipërmarrësi italian vjen në klinikën private në Tiranë për ngushtimin e stomakut, ndërron jetë në QSUT! Dy mjekë nën hetim