TIRANE-Report Tv publikoi sot vendimin e vitit 2007 të ministrit të Kulturës së qeverisë Berisha, që e linte teatrin kombëtar jashtë listës së objekteve të trashëgimisë kulturore, pra pa status. Por cfarë mendon për këtë, regjisori Edmond Budina? Në një prononcim për Report Tv nga ambientet e teatrit, Budina që është pjesë e aleancës kundër shembjes së godinës u shpreh se teatri duhet të ishte në listën e monumenteve të kulturës dhe për këtë gjë nuk e justifikon Sali Berishën për vendimin e qeverisë së tij në 2007.

"Pse ju mendoni se unë do të justifikoj qoftë Sali Berishën qoftë njeri tjetër që e ka nxjerrë nga monument kulture?! Jo, jam kundër edhe atyre që e kanë bërë këtë gjë. Duhet të ishte monument kulture. Unë di që ka qenë monument kulture, por është hequr me një VKM kohët e fundit, ka një zallamahi të madhe, kërkohen dokumente dhe gjëra që nuk gjenden, është një rrëmujë e madhe' tha ai.

Më vijim të intervistës, Budina i bëri thirrje drejtësisë që të hetojë gjithçka lidhur me teatrin kombëtar duke akuzuar shumicën në qeverisjen qendrore dhe lokale të Tiranës.

"Situata po precipiton, pasi është i habitshëm nguti që qeveritarët po i shtyjnë me ngut të jashtëzakonshëm, kjo tregon se kanë dicka për të fshehur. Sot SPAK ka pranuar kallëzimin për kryetarin dhe zv kryetarin e bashkisë, ata kanë gjetur dyshime derisa e kanë regjistruar. Do të presim hetimet. Mesa duket këtu gjërat padyshim që precipitojnë, por edhe ai meraku për të fshehur gjurmët është i madh. Do të vijojmë me kallëzime, ka abuzime nga drejtuesit lokalë dhe qendror.

Këtu fatkeqësia është që të gjithë ata që marrin një rrogë, janë të bindur pas shefit, ky servilizëm është skandaloz. Ai kërcënohet për t'u hequr nga puna. Kjo gjë më skandalizon, se kam fjalën për këtë qeveri, por në përgjithësi e ka politika shqiptare këtë. Nuk mund të shkohet përpara.

Teatri duhet të restaurohet se është arkitekturë origjinale, asnjë turist që vjen në Tiranë nuk bën fotografi para kullave, të gjithë këtu përballë teatrit kombëtar, është vlerë e jashtëzakonshme. Është ndërtuar në një periudhë të caktuar, është bërë 80-vjeçare, ka kujtesën e së shkuarës. Ai që ka ndërtuar këtë është ndër më të shquarit në vitet '30".

Sa i përket rolit të opozitës në këtë cështje, regjisori tha se "Qoftë Basha, Kryemadhi apo edhe unë, jemi qytetarë së pari dhe cdo njëri ka të drejtë të tij, nëse sonte vjen edhe Edi Rama nuk kemi pse ta zbojmë, nuk zbojmë njeri që mbron Teatrin. Se si do të zhvillohen ngjarjet presim një reagim nga bashkia dhe qeveria ti thërrasin mendjes, mos e çojnë vendin në një konflikt. E padrejtë ta trajtosh këtë vend si të jesh padron" përfundoi ai.