TIRANE - Bardha, motra e madhe e të ndjerit, siç e do zakoni, qëndron në krye të mortit. Me lot në sy, nga kjo tragjedi që u ka ndodhur, ajo thotë se nuk do ti falin vrasësit e vëllait të saj. Ajo kërkon që drejtësia të vihet në vend për të dy bashkëshortët, dhe jo vetëm për burrin e çiftit vrasës, në të kundërt ata do të jenë të detyruar që të marrin hakun e jetës së të vëllait.

Ajo shprehet se vëllai i saj ka tre fëmijë, dy djem përkatësisht 13 dhe 17 vjeç dhe një vajzë, e cila është 20-vjeç. Mbrëmjen e së mërkurës kur ka ndodhur ngjarja e rëndë kanë qenë prezentë dhe dy djemtë e të ndjerit. “Ma vranë vëllain në sy të fëmijëve pa pikë mëshire dhe më vdiq vëllai i mbuluar nga gjaku në krahë të nuses.

Më plas shpirti sepse la jetimë tre fëmijët, të cilët janë në një moshë që kanë më shumë se kurrë nevojë për babain e tyre. Dje vrasësi ka ardhur nga Greqia i përgatitur që të masakrojë vëllain tim. Ka marrë thikë me vete në brez kurse gruaja e tij ka pasur sëpatë në çantë. Nuk vritet njeriu për 200 euro.

Më mirë të thonte që nuk i kishte ato lekë sesa të më vriste vëllain.” Ajo thotë se Besim Ndreu bashkë me gruan e tij duhet të dënohen mbi 30 vjet burg. “Po nuk u dënuan mbi 30 vjet burrë e grua do të bëjmë vetëgjyqësi vetë” përfundon ajo.