Kitaristi i grupit Grateful Dead, Bob Weir, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

Një deklaratë e familjes, e publikuar të shtunën në llogarinë në Instagram të anëtarit themelues të grupit, tha se ai vdiq “i rrethuar nga njerëzit e dashur”.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Bobby Weir”, thuhet në deklaratë, e shoqëruar me një foto të këngëtarit në skenë. “Ai u largua në paqe, i rrethuar nga njerëzit e dashur, pasi e mposhti kancerin me guxim, ashtu si vetëm Bobby dinte. Fatkeqësisht, ai u dorëzua nga problemet me mushkëritë.”

Deklarata e gjatë e përshkruan Weir-in si një “kitarist, vokalist, tregimtar dhe anëtar themelues të Grateful Dead” dhe thotë se ai do të jetë “përgjithmonë një forcë udhëzuese, arti i veçantë i të cilit riformësoi muzikën amerikane”.

“Vepra e tij bëri më shumë sesa thjesht të mbushte sallat me muzikë; ajo ishte si rrezet e ngrohta të diellit që mbushnin shpirtin, duke ndërtuar një komunitet, një gjuhë dhe një ndjenjë familjeje që breza të tërë fansash e mbajnë me vete”, vijon deklarata.

Njoftimi thekson se Weir u diagnostikua me kancer në korrik, duke nisur trajtimin “vetëm disa javë përpara se të kthehej në skenën e qytetit të tij të lindjes për tri net koncerte me muzikë të viteve ‘60 në Golden Gate Park”.

“Një artist që zgjodhi, edhe atëherë, të vazhdonte përpara sipas mënyrës së tij", thuhet më tej.

Deklarata mbyllet me shpresën se trashëgimia e Weir-it do të “jetojë përmes brezave të ardhshëm të Dead Heads.”