Hakmarrja ndaj kreut të PD Lulzim Basha për përjashtimin nga grupi i PD sapo ka filluar nga ish-kryeministri, Sali Berisha. Ky i fundit me një mesazh drejtuar anëtarësisë u kërkuar që mos braktisin këtë forcë politike por t’i bashkohen aksionit të tij për rrëzimin e Bashës dhe vendimit që ka marrë. 

Ish kryeministri ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku shihet një qytetar, demokrat i cili gris dhe hedh në plehra kartën e anetarësimit ne PD. Kjo si shenjë revolte, pasi kryedemokrati Lulzim Basha përjashtoi Berishën nga Grupi Parlamentar.

"Te dashur anetare dhe anetar te Partise Demokratike, asnje largim nga rradhet e saj por te gjithe se bashku per te hedhur ne koshin e plehrave vendimin antistatutor, amoral, poshterues dhe fund e krye per interes personal te pengut Lulzim Basha. Rrofte Partia Demokratike e Shqiperise", shkruan Berisha.

Lulzim Basha e përjashtoi Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në kufijtë e limitit kohor, një ditë përpara se të mbahej legjislatura X e Kuvendit. Basha dekalaroi se këtë vendim e mori në mënyrë personale, pasi sipas tij nuk donte të nxiste përçarje në parti. 

Për këtë vendim, Sali Berisha ka deklaruar se është njoftuar 30 minuta para se Basha ta bënte publike, megjithëse shtoi se nuk ishte i papërgatitur duke sqaruar se nuk do të qëndrojë duarkryq, por do të shfrytëzojë influencën e tij “për t’i rikthyer sovranitetin PD-së” duke mos përjashtuar mundësinë e marrjes së drejtimit të kësaj force politike.