Një 61-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën pas një aksidenti të ndodhur paraditen e së martës në Portin e Durrësit, pranë terminalit të kamionëve në zonën e skanerit.
Viktima është Nexhmedin Shabani, i cili kishte ndaluar kamionin e tij dhe po priste në radhë për ta futur mjetin në skaner. Sipas të dhënave, ai kishte zbritur nga kamioni dhe po qëndronte në këmbë, kur është goditur nga një mjet tjetër i tonazhit të rëndë, që drejtohej nga Nikolin Merdari, 49 vjeç, banues në Berat.
Pas përplasjes, 61-vjeçari u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Durrësit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, ai ndërroi jetë pasditen e sotme si pasojë e plagëve të marra.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Më datë 28.07.2026, në Portin e Durrësit, në sheshin para skanerit, shtetasi N. M., 49 vjeç, banues në Berat, duke drejtuar një kamion, dyshohet se aksidentalisht ka goditur shtetasin N. Sh., 62 vjeç, banues në Kosovë, drejtues i një kamioni tjetër, i cili po lëvizte në këmbë për të dorëzuar dokumentacionin e kamionit të tij për t'u futur në skaner. Si pasojë e goditjes, shtetasi N. Sh., 62 vjeç, ka humbur jetën.
Shtetasi N. M. u shoqërua në Komisariat dhe po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit"
Komente










