Itali - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Bergamo, ku një mësuese është goditur me thikë në qafë nga një nxënës 13-vjeçar.
Mediat italiane raportojnë se ngjarja ka ndodhur në korridorin e shkollës së mesme Via Damiano Chiesa, pak para se të niste mësimi (ora 07:45).
Chiara Mocchi, mësuese e gjuhës frënge, 57-vjeçe është transportuar në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave.
I mituri u ndalua nga karabinierët, të cilët, duke kontrolluar çantën e shpinës, gjetën edhe një pistoletë bosh. Gjatë momentit që kreu krimin, ai mbante veshur një bluzë me mbishkrimin “Vendetta”, që do të thotë hakmarrje.
Prindërit e disa nxënësve kanë deklaruar se e kanë marrë vesh për ngjarjen përmes një mesazhi.
"Mësuam se çfarë ndodhi nga një mesazh nga përfaqësuesi i klasës dhe nxitova të kontrolloja vajzën time. E dimë që vetëm tre fëmijë e panë incidentin. Ata na thanë se ky djalë e goditi me thikë mësuesen”, shprehen prindërit.
Komente












